PËRFUNDON TAKIMI I KËSHILLIT MINISTROR TË OSBE-së

Nën organizimin e Kryesisë Shqiptare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) u mbajt takimi dyditor i Këshillit Ministror të kësaj organizate, që u mbyll me deklaratën e kryesuesit të radhës dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Në fjalën e tij në seancën përmbyllëse të takimit, Rama tha se “ky këshill ministror është fundi i lumtur i rolit tonë”.“Këta dy ditë kanë qenë një mundësi e vyer për të ndarë pikëpamjet tona. Patëm 53 ministra që morën pjesë në këtë takim online. Kjo pjesëmarrje dëshmon rëndësinë që ne i kemi dhënë qëllimit dhe të punës së OSBE-së. Jemi organizatë e larmishme, natyrisht kemi pjesën tonë të mosmarrëveshjeve, por kurrë nuk duhet të harrojmë potencialin e ndikimit që mund të sjellim bashkë”, theksoi Rama. Ashtu si edhe në fjalimin e hapjes së takimit në ditën e parë të punimeve, Rama u ndal përsëri në krizën në Bjellorusi, por edhe zhvillimet rreth konfliktit të fundit mes Azerbajxhanit dhe Armenisë për Malësinë e Karabakut dhe armëpushimit mes dy vendeve. Në lidhje me situatën në Bjellorusi, ai tha se “u përpoqëm të ndihmonim, por oferta jonë nuk u mor në konsideratë”. Kryeministri Rama tha se OSBE i ka dhënë Shqipërisë shumë mbështetje gjatë dy dekadave të shkuara për çdo gjë dhe sipas tij “OSBE është një platformë përmes së cilës mund të dëgjohesh”. Këshilli Ministror është organi qendror vendimmarrës dhe qeverisës i OSBE-së. Në takimin vjetor kryediplomatët e shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së diskutuan dhe trajtuan gjendjen e sigurisë në zonën euroatlantike dhe atë euroaziatike, si edhe punën e organizatës në fushat e veprimtarisë së saj. Shqipëria kishte kryesimin e radhës të OSBE-së për vitin 2020 dhe vitin që vjen kryesimin e organizatës do ta marrë Suedia.

SHARE