Foto: Ilustrim
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Johan Sattler, deklaroi se ky ka qenë një vit shumë i suksesshëm për rrugën evropiane të Malit të Zi, duke e cilësuar vendin si lider në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai theksoi se viti i ardhshëm do të jetë vendimtar dhe se Mali i Zi është në rrugën e duhur për të mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave deri në fund të vitit, por duhet të mbetet i fokusuar, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, zbatimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe luftën kundër krimit e korrupsionit. Sattler vlerësoi përparimin e madh të Malit të Zi në zbatimin e Planit të Rritjes dhe përmendi anëtarësimin e vendit në SEPA-n më 7 tetor si një arritje të rëndësishme. Ai gjithashtu përgëzoi qytetin e Nikshiqit për shpalljen “Kryeqyteti Evropian i Kulturës” dhe theksoi se raporti i këtij viti i Komisionit Evropian është më i miri që ka marrë ndonjëherë Mali i Zi, duke forcuar pozicionin e tij si udhëheqës në procesin e zgjerimit. Megjithatë, raporti përmban edhe disa kritika dhe thekson nevojën për vazhdimin e reformave, sidomos në sistemin zgjedhor dhe në stabilitetin e policisë. Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq u shpreh se ky ka qenë një vit shumë i suksesshëm për Malin e Zi, por shtoi se qeveria synon rezultate edhe më të mira. Ai theksoi se raporti i Komisionit Evropian është dëshmi e punës së përgjegjshme në prioritetet kombëtare dhe se përparimi është arritur në 18 kapituj negociues. Spajiq theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes vullnetit politik dhe institucioneve profesionale, duke nënvizuar se qeveria është e përkushtuar ndaj krijimit të një ambienti ekonomik stabil. Ai gjithashtu njoftoi se Mali i Zi do të harmonizojë politikën e vizave me BE-në dhe se, për arsye sigurie, është vendosur përkohësisht regjimi i vizave për qytetarët e Turqisë.










