Një raport i fundit i organizatës ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve Save the Children tregon se gati 520 milionë fëmijë në mbarë botën kanë jetuar në zona konfliktesh gjatë vitit të kaluar — 47 milionë më shumë se një vit më parë, duke shënuar kështu shifrën më të lartë që nga viti 2005. Kjo do të thotë se në vitin 2024, një në pesë fëmijë në botë ka jetuar në një zonë me konflikt aktiv. Krahasuar me vitin 2023, është regjistruar një rritje prej 30% e numrit të shkeljeve të rënda ndaj fëmijëve. Më shumë se gjysma e incidenteve kanë ndodhur në katër rajone: në territoret e pushtuara palestineze, Republikën Demokratike të Kongos, Nigeri dhe Somali. Në total, gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 61 konflikte të armatosura në vende të ndryshme të botës — gjithashtu shifra më e lartë që nga viti 1946. Florian Westphal, drejtor ekzekutiv i Save the Children në Gjermani, bëri thirrje për veprime politike urgjente, duke theksuar se në një kohë kur shpenzimet ushtarake po rriten, mbrojtja e fëmijëve duhet të vendoset në qendër të politikave të sigurisë. “Është skandaloze që qeveritë po investojnë më shumë në armatime sesa në mbrojtjen e fëmijëve që jetojnë në zona konflikti,” deklaroi ai. Përfundimet e raportit bazohen në të dhëna të mbledhura nga Instituti Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes me seli në Oslo, si edhe në raportet e Kombeve të Bashkuara.









