RAPORTI I KE-së: PËRPARIM NË DISA FUSHA, POR NEVOJITEN REFORMA TË THELLA NË SISTEMIN GJYQËSOR

Foto: Ilustrim

Sipas draft-raportit vjetor të Komisionit Evropian për vitin 2025, Mali i Zi ka ruajtur fokusin në integrimet evropiane, megjithëse procesi i përafrimit të legjislacionit me BE-në është ngadalësuar për shkak të sfidave të brendshme politike. Institucionet demokratike funksionojnë në përgjithësi, por mbeten të ndjeshme ndaj krizave dhe bllokadave politike. Parlamenti dhe Qeveria kanë punuar në kushte përgjithësisht stabile, por u vërejtën probleme në koordinimin qeveritar dhe komunikimin institucional. Raporti shpreh shqetësim edhe për kritikat dhe ndërhyrjet politike në punën e Prokurorisë dhe për krizën që u shkaktua nga pensionimi i kontestuar i një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese. Mali i Zi ka arritur progres shumë të mirë në disa kapituj të negociatave të BE-së, sidomos në fushat e ekonomisë dhe koordinimit të politikës së jashtme, me harmonizim të plotë me politikat e BE-së, përfshirë sanksionet ndërkombëtare. Megjithatë, në fushat kyçe si drejtësia, lufta kundër korrupsionit dhe krimi i organizuar, progresi është i kufizuar. Rezultatet në hetimin e korrupsionit janë përmirësuar, por numri i dënimeve të formës së prerë mbetet i ulët. Po ashtu kërkohet përmirësim i funksionimit të sistemit gjyqësor dhe rritje e pavarësisë së tij. Në kapitullin për sigurinë dhe menaxhimin e kufijve, Komisioni Evropian kërkon që Mali i Zi urgjentisht të harmonizojë politikën e vizave me BE-në dhe të forcojë masat kundër migracionit të parregullt. Në aspektin ekonomik, vendi ka bërë përparim të moderuar, por mbetet i cenueshëm për shkak të varësisë nga turizmi, borxhit dhe papunësisë së lartë tek të rinjtë.

SHARE