KREU I OKB-së, GUTERRES PARALAJMËRON SE LUFTA NË SUDAN KA DALË JASHTË KONTROLLIT

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres paralajmëroi se lufta në Sudan “ka dalë jashtë kontrollit”, transmeton Anadolu.

Në fjalimin e tij në Samitin e OKB-së në Katar, Guterres foli për zhvillimet në Sudan, i cili ndodhet në Afrikën verilindore. Duke vënë në dukje se qyteti Al-Fasher në rajonin e Darfurit ka rënë nën kontrollin e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), Guterres tha se lufta në rajon “ka dalë jashtë kontrollit”.

Ai e përshkroi situatën në rajon si “një nga krizat më të këqija humanitare në botë” dhe u bëri thirrje palëve në konflikt për “armëpushim të menjëhershëm”.

Duke vënë në dukje se po marrin raportime të vazhdueshme për shkelje të të drejtave të njeriut në nivel ndërkombëtar, Guterres tha se “Qindra mijëra civilë janë nën këtë rrethim. Njerëzit po vdesin nga kequshqyerja, sëmundjet dhe dhuna”.

Guterres, duke vlerësuar rolin e mundshëm që paqeruajtësit ndërkombëtarë mund të luajnë në Sudan, tha se është e rëndësishme të “bashkohet i gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe të gjithë ata që kanë ndikim në Sudan për të ndaluar luftën”.

“Ne padyshim kemi nevojë për armëpushim në Sudan. Ne duhet ta ndalojmë këtë masakër të patolerueshme. Një nga elementët e domosdoshëm për të ndaluar luftën është të sigurohemi të mos hyjnë më armë në Sudan. Ne duhet të krijojmë mekanizma llogaridhënieje për shkak se krimet e kryera janë shumë të tmerrshme”, tha Guterres.

SHARE