Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare për 37 Kuvendet Komunale.
Në Drenas nuk shpalli zgjedhjet për shkak të ankesave.
Krashnik Radoniçi – Kryetar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve: “Sot nuk do të mund të shpallim rezultatin për komunën e Drenasit për Kuvend Komunal për arsye se ende është një ankesë në Gjykatën Supreme për të cilën pritet vendimmarrja. Me rastin e pritjes së vendimit nga Gjykata Supreme dhe varësisht prej vendimmarrje do të veprojë edhe KQZ-ja”.
Duke e llogaritur edhe Drenasin, Partia Demokratike e Kosovës kryeson me numrin e ulëseve të siguruara në kuvendet komunale me 206 sosh, pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 203 vende, Lëvizja Vetëvendosje me 177 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 98 vende.
KQZ shpalli rezultatet përfundimtare edhe për komunat Junik, Prishtinë e Mamushë.
Ndërkohë, certifikoi rezultatet për 35 komunat, rezultati i të cilave u shpall një javë me parë.
Sipas rezultatit 20 komuna e kanë përfunduar procesin e zgjedhjes së kryetarit, ndërkohë 15 të tjera do jenë në balotazh më 9 nëntor. Pritet që në balotazh të jenë edhe Prishtina, Juniku e Mamusha, por duhet të pritet të ezaurohet afati i ankesave për rezultatet përfundimtare, e më pas edhe të bëhet certifikimi.









