GJELOSHAJ: MALI I ZI SHËNON PËRPARIM TË DUKSHËM NË NEGOCIATAT ME BE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, njoftoi se raporti vjetor i Komisionit Evropian për përparimin e Malit të Zi për këtë vit i jep atij edhe më shumë krenari dhe inkurajim, pasi raporti konfirmon rezultatet e shkëlqyera që kemi arritur në fushat nën përgjegjësinë e ministrisë sonë.

“Komisioni Evropian ka vlerësuar lart përparimin e Malit të Zi në Kapitullin 3 (E drejta e themelimit të ndërmarrjeve dhe liria e ofrimit të shërbimeve) dhe Kapitullin 6 (Ligji ekonomik), gjë që përbën një rezultat të drejtpërdrejtë të punës së suksesshme dhe të përkushtuar të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Po ashtu, Komisioni Evropian ka vlerësuar pozitivisht përparimin në Kapitullin 7 (E drejta e pronës intelektuale), të cilin e mbyllëm përkohësisht vitin e kaluar. Kjo tregon se përpjekjet tona për të harmonizuar ligjet me standardet e Bashkimit Evropian nuk ndalen edhe pas mbylljes së kapitujve, duke konfirmuar më tej vendosmërinë e Malit të Zi për t’u bërë anëtar i plotë i familjes evropiane”, deklaroi Gjeloshaj.

Ai tha se presin që deri në fund të vitit të mbyllin, ndër të tjera, edhe Kapitujt 3 dhe 6, që do të thotë se Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në një periudhë më pak se dy vjet, ka pasur një rol të drejtpërdrejtë dhe kyç në mbylljen e pesë kapitujve rekord të negociatave. Kjo është dëshmi më e mirë se me punë të qartë dhe të përkushtuar hapen dyert e Bashkimit Evropian.

“Gjatë vitit 2026, fokusi i aktiviteteve do të jetë në kapitujt 1 (Lëvizja e lirë e mallrave), 8 (Politika e konkurrencës) dhe 28 (Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit). Puna në këta kapituj zhvillohet në vazhdimësi, me përparim të dukshëm në harmonizimin me legjislacionin e BE-së në kapitujt 1 dhe 28, si dhe përparim në forcimin e kuadrit ligjor në kapitullin 8”, njoftoi ai.

SHARE