GJELOSHAJ: NISMAT QË SHKELIN STRUKTURËN KUSHTETUESE NUK DO TË GJEJNË MBËSHTETJEN E SHQIPTARËVE

Nismat që shkelin strukturën kushtetuese, ligjet, institucionet, harmoninë ndëretnike dhe të ardhmen euroatlantike të Malit të Zi nuk do të gjejnë kurrë mbështetjen e shqiptarëve dhe Forumit Shqiptar, tha zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj.

Ai këtë e tha në Kuvend duke iu përgjigjur pyetjes së përfaqësuesit të Partisë Demokratike të Socialistëve, Andrija Nikoliq, se a do të largohet nga Qeveria nëse kryeministri Millojko Spajiq i nënshtrohet presionit të partnerëve të koalicionit nga koalicioni „Për të Ardhmen e Malit të Zi“ dhe të inicojë procedurën për futjen e shtetësisë së dyfishtë dhe ndryshimin e Kushtetutës në pjesën e gjuhës zyrtare.

Gjeloshaj tha se mendon se ai dhe subjekti politik që ai përfaqëson kanë qenë të qartë që në fillim.

„Kur nënshkruam marrëveshjen për formimin e qeverisë, vlerësova se të gjitha subjektet politike do ta respektonin marrëveshjen. Këtë e kam thënë edhe në deklaratat e mia të fundit, dhe të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe kryeministri Spajiq ditë më parë në këtë Kuvend. Të gjitha nismat që shkelin strukturën kushtetuese, ligjet, institucionet, harmoninë ndëretnike dhe të ardhmen euroatlantike të Malit të Zi nuk do të gjejnë kurrë mbështetjen e shqiptarëve dhe të Forumit Shqiptar. Koha është treguesi më i mirë i arsyetimit të hyrjes sonë në Qeveri”, tha Gjeloshaj.

Në pyetjen e Nikoliq nëse kryeparlamentari Andrija Mandiq, duke folur për Kuvendin Kushtetues, flet në emër të Qeverisë, Gjeloshaj tha:

„Patjetër që ai nuk flet në emër të Qeverisë së Malit të Zi. Qeveria as që e ka diskutuar atë. Këto janë pikëpamjet personale të Mandiqit. Unë besoj se Qeveria nuk i përkrah veprimet e tilla”.

Spajiq, thekson Gjeloshaj, e respekton me vendosmëri marrëveshjen.

“Që kjo është e vërtetë konfirmohet nga raporti vjetor i progresit i Komisionit Evropian. Qëndrimi i liderit të shumicës parlamentare, Millojko Spajiq, se nuk do të lejojë askënd të kërcënojë rrugën evropiane të Malit të Zi, është konfirmim i politikës që na premtoi kryeministri, kur kërkoi mbështetjen tonë, të cilën ai ende e  ka. Forumi Shqiptar dhe pakicat nuk do të tërhiqen nga askush, por do të fitojë Mali i Zi europian. Unë nuk jam politikan i tërheqjes, por i fitores”, shprehet qartë Gjeloshaj.  

SHARE