Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato ka kërkuar nga autoritetet shqiptare që të përshpejtohet ritmi i reformave në kuadër të rrugëtimit evropian të vendit drejt BE-së.
Diplomati italian ka qenë i pranishëm në nisjen e edicionit të nëntë të Shkollës së Integrimit Evropian, që organizohet nga Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian, në partneritet me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), Delegacionin e Bashkimit Evropian dhe Fondacionin “Friedrich Ebert Stiftung.
“Nisja e negociatave për grup-kapitullin e parë nënkupton gjithmonë e më tepër monitorim rigoroz nga ana e BE-së dhe shteteve anëtare, sepse në fund të fundit, siç e dini, vendimi iu takon shteteve anëtare”, u shpreh fillimisht Gonzato.
Përfaqësuesi evropian shtoi se “nuk ka kohë për të hezituar apo për t’u zvarritur”, sepse standardi për çdo vendim rregullator të marrë nga ky parlament, nga qeveria apo nga pushteti vendor duhet të jenë “acquis të BE-së”.
“Na duhet të përfitojmë nga kjo mundësi, sepse në kontekstin gjeopolitik më shumë sesa kurrë, vendet e BE-së kuptojnë që duhet të kompletohemi, jo të zgjerohemi, por të kompletohemi që t’i japim fuqinë dhe kapacitetin për të vepruar BE-së. Kemi po kështu nevojë që të kompletojmë për të ndjekur ambicien tonë të autonomisë strategjike”, vërejti ai gjatë fjalës së tij.
Sipas tij, Paketa e Zgjerimit e KE-së, e miratuar në fillim të kësaj jave, ofron udhëzues të qartë për atë çfarë duhet bërë në të gjithë sektorët.
“Për këtë duhet udhëheqje e fortë dhe konsistente, mbështetje ndërpartiake e gjerë, një strukturë e konsoliduar dhe efiçente e negociatave, po kështu edhe mekanizma efikase konsultimi me aktorët e shoqërisë, duke qenë se flasim për një proces gjithë shoqëror”, ravijëzoi Gonzato në përmbyllje.