MINISTRI DUKAJ: KRIJIMI I AGJENCISË SË SIGURISË KIBERNETIKE ËSHTË NJË PRIORITET KYÇ

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka takuar sot disa nga përfaqësuesit e Republikës së Çekisë.

Ministri Dukaj falënderoi Republikën Çeke për mbështetjen dhe partneritetin konstruktiv në rrugën e reformës së administratës publike, sigurisë kibernetike dhe digjitalizimit dhe i njohu bashkëbiseduesit me prioritetet në punën e Ministrisë së Administratës Publike.

“Reforma e administratës publike, digjitalizimi dhe siguria kibernetike janë procese që duhet të zhvillohen në të njëjtën kohë. Ne kemi njohur rëndësinë dhe vlerën e transformimit digjital dhe përpiqemi ta përmirësojmë këtë koncept përmes krijimit të një administrate publike moderne dhe efikase”, tha Dukaj.

Dukaj tha se prioritetet kyçe të Ministrisë së Administratës Publike janë miratimi i Ligjit për Sigurinë e Informacionit, themelimi i Agjencisë për Siguri Kibernetike dhe Qendrës Arsimore Rajonale për Mbrojtje Kibernetike dhe Edukim, dhe se Ekipi i reagimit ndaj incidenteve kompjuterike (Computer Incident Response Team) i Qeverisë, tashmë është formuar me funksionin e SOC (Security Operation Center), pra rolin operacional të parandalimit të incidenteve, organ që Mali i Zi nuk e kishte më parë.

“Themelimi i Agjencisë për Siguri Kibernetike është një hap tjetër drejt përputhshmërisë së plotë me Direktivën e BE-së për sigurinë e rrjetit dhe informacionit, dhe me këtë do të përshpejtojmë ndjeshëm procesin e digjitalizimit dhe rrjedhimisht transparencën dhe efikasitetin e shërbimeve publike”, tha Dukaj.

Përfaqësuesit e Republikës Çeke përshëndetën aktivitetet për ndërtimin e një administrate publike moderne dhe efikase dhe theksuan gatishmërinë për bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave dhe ofrimin e mbështetjes eksperte dhe të llojeve të tjera në procesin e reformës së administratës publike, digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike.

Në takim u theksua se zbatimi i programeve dhe projekteve të përbashkëta do të vazhdojë bashkëpunimin shumëvjeçar ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës Çeke.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për tema të tjera me interes të ndërsjellë, duke përmbyllur nevojën e thellimit të bashkëpunimit në shumë fusha.

SHARE