Mënyra më Fantastike e Përgatitjes së Mishit të Qengjit me Patate Furre

Mishi i pjekur i qengjit me patate të furrës është padyshim ndër gatimet më të shijshme që mbledh menjëherë gjithë familjen rreth tryezës e mbush gjithë shtëpinë me aromë të mrekullueshme.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë një mënyrë fantastike e pjekjes së mishit të qengjit shoqëruar me patate furre.

Një gatim shumë i shijshëm që padyshim do t’ju hapë nepsin dhe oreksin sapo të ndjeni aromën e pjekjes së tij në shtëpi.

Ky gatim special shoqërohet në mënyrë fantastike me sallata të freskëta të stinës, salca të ndryshme, perime të pjekura apo të zgarës, turshi shtëpie, djathra të ndryshëm etj.

Përgatitja e Mishit të Qengjit me Patate Furre  

Përbërësit

  • 500 gr mish qengji (preferohet pjesa e shpatullës ose kofshës)  
  • 6-7 kokrra patate mesatare
  • Lëngu i një kokrre limoni
  • Kripë
  • Piper
  • Një lugë gjelle gjalpë fshati
  • Një lugë gjelle vaj ulliri
  • 1-2 kokë të plota hudhrash të pa qëruara

Përgatitja

Si fillim qeroni me kujdes patatet dhe prijini feta-feta në formë të rrumbullakët ose si të dëshironi.

Shtrydhni limonin, hidhnin lëngun e tij në një tas. Shtoni tek lëngu i limonit, një lugë vaj ulliri, kripë dhe pak piper të zi.

Përzjeini në mënyrë që masa të bëhet homogjene.

Vendosni fetat e patateve me rradhë në tepsi dhe lyejeni me masën e lëngut të limonit me vaj ulliri dhe kripë e piper.

Merrni mishin, pastrojeni me ujë të rrjedhshëm dhe vendoseni të ziejë në zjarr por jo plotësisht.

Pasi mishi të jetë gjysmë i zier vendoseni sipër patateve, të cilat më parë i keni spërkatur edhe me disa copëza gjalpi.

Preferohet që kokat e hudhrave t’i pastroni me ujë të rrjedhshëm dhe t’i vendosni në mes të patateve që të piqen të plota bashkë me patatet dhe mishin dhe kur t’i servirni qërojini nga lëkurat.

Hidhni një gotë e gjysmë nga luengu kur zietë mishin në të gjithë sipërfaqen e tavës.

Futeni të piqet në furrë në 180 gradë.

Herë pas here kontrollojeni nëse ka nevojë akoma për ujë apo jo.

Lëreni të piqet derisa mishi dhe patatet të zbuten plotësisht.

Kur ta hiqni nga furra, lyejeni mishin sërish me pak gjalpë dhe shërbejeni ashtu të ngrohtë duke e ndarë bashkë me patetet nëpër pjata./AgroWeb.org  

SHARE