Deri në vitin 2024 në Bashkimin Evropian do të ekzistojë vetëm një pajisje e njëjtë për karikimin e baterive të telefonave, tabletëve dhe kamerave. Parlamenti Evropian votoi të martën për këtë ndryshim, me 602 vota pro dhe vetëm 13 kundër. Kompania amerikane Apple do të preket më shumë nga ky vendim, pasi kjo nënkupton që ajo duhet të ndryshojë portën e karikimit të baterive të pajisjeve të saj. Votimi konfirmon një marrëveshje të mëparshme mes institucioneve të bllokut evropian që të ekzistojë vetëm një pajisje universale, sipas standardeve të BE-së. Ndër kompanitë më të mëdha teknologjike: Apple, Samsung dhe Huaëei, nuk e kanë komentuar ende këtë vendim. Apple ka paralajmëruar më herët se propozimi i BE-së mund të dëmtojë inovacionin dhe të krijojë një mal mbetjesh elektronike. Ky ndryshim është diskutuar prej vitesh, dhe është nxitur nga ankesat e përdoruesve të pajisjeve të prodhuara nga Apple dhe Samsung, të cilët duhej të përdornin karikues të ndryshëm për pajisjet e tyre. Komisioni Evropian ka vlerësuar se një karikues i vetëm baterish, mund t’i kursejë tregut të konsumatorëve 250 milionë euro.