RRITJE E NUMRIT TË TURISTËVE NË MAL TË ZI NË 7 MUAJT E PARË TË VITIT, SEZONI REZULTON SHUMË I SUKSESSHËM

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Statistikat e MONSTAT-it për shtatë muajt e parë të këtij viti tregojnë një rritje prej 4.28% të numrit të turistëve në të gjitha format e akomodimit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në krahasim me rekordin e vitit 2019, ka pasur 14% më shumë vizitorë dhe mbi 16% më shumë netë qëndrimi, që dëshmon qartë se sezoni turistik ka qenë shumë i suksesshëm.

Ministrja e Turizmit theksoi se këta tregues janë shenja të politikave të duhura që janë zbatuar, duke pasur parasysh sfidat e shumta me të cilat është përballur sektori këtë sezon.

Sipas saj, tradicionalisht, turistët që kanë shpenzuar më shumë netë në të gjitha format e akomodimit vijnë nga Serbia, Rusia dhe Bosnja dhe Hercegovina, por është vërejtur një rritje e konsiderueshme e turistëve nga tregje më të largëta si Kina (49.42%), Azerbajxhani (77.97%) dhe Izraeli (47.10%).

“Këto janë tregje jo tipike për Malin e Zi, por shumë të rëndësishme për shkak të sfidave në rritje ndaj të cilave nuk mund të veprojmë drejtpërdrejt. Turizmi, si një nga industritë më të ndjeshme, duhet të jetë fleksibël, dhe politikat që kemi zbatuar, intensifikimi i marrëdhënieve me destinacione të tjera, bashkëpunimi ekonomik dhe promovimi në media, kanë dhënë rezultate,” vlerësoi Kordiq.

Ajo gjithashtu theksoi se Mali i Zi është i vetmi vend në rajon pa një sistem të integruar digjital për regjistrimin e turistëve, prandaj Ministria e Turizmit në bashkëpunim me UNOPS-in ka nisur këtë projekt, ku faza e parë – analiza e plotë e gjendjes aktuale me rekomandimet – është përfunduar.

Ky sistem do të jetë kyç për eliminimin e të dhënave jo logjike dhe për luftimin e informalitetit, sidomos në sektorin e akomodimit privat.

Kordiq tha se pritshmëritë për muajin shtator janë shumë pozitive, duke u reflektuar në kapacitetet shumë të larta të akomodimit në këtë periudhë.

Ajo vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e investimeve të përgjegjshme në veri të Malit të Zi, duke përmendur se gjatë kësaj vere disa zona kanë regjistruar deri në 95% të kapacitetit të përdorur.

SHARE