QEVERIA E MALIT TË ZI PEZULLON PËRKOHËSISHT NJOHJEN E DIPLOMAVE TË LËSHUARA NGA DISA INSTITUCIONE ARSIMORE JASHTË VENDIT

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Në seancën e sotme, Qeveria e Malit të Zi miratoi një vendim për pezullimin e përkohshëm të njohjes së diplomave të marra nga Shkolla e Lartë për Biznesin e Shërbimeve në Sarajevën Lindore – Sokolac, Bosnje e Hercegovinë, në kuadër të procedurave të punësimit.

Kjo masë u ndërmor për të mbrojtur interesin publik dhe për të siguruar cilësinë në arsimin e lartë, njoftoi Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit.  

Sipas njoftimit, deri në marrjen e të dhënave të nevojshme nga Ministria e Arsimit të Bosnjës dhe Agjencia për Zhvillimin dhe Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, diplomat e lëshuara nga kjo shkollë nuk do të njihen në Malin e Zi.

Qëllimi i vendimit është ruajtja e besueshmërisë së procesit të njohjes dhe parandalimi i mundësive për keqpërdorime.

Në nëntor të vitit të kaluar, Ministria e Arsimit kishte marrë vendim për pezullimin e përkohshëm të njohjes së diplomave nga disa institucione të arsimit të lartë në Bosnje e Hercegovinë që janë nën hetim nga autoritetet përkatëse.

Këto institucione janë:

  • Universiteti i Pavarur për Shkenca Politike dhe Shoqërore në Banja Lukë.
  • Shkolla e Lartë për Shkenca të Aplikuara dhe Juridike “Prometej” në Banja Lukë,
  • Universiteti “Victoria International University” Mostar, pasardhës ligjor i Universitetit të Shkencave Moderne “CKM”, Mostar,
  • Shkolla e Lartë “Union” Mostar,
  • Universiteti Ndërkombëtar Brçko, Distrikti Brçko, Bosnje e Hercegovinë,
  • Universiteti për Inxhinieri Biznesi dhe Menaxhim “PIM”, Banja Lukë.

Gjithashtu, janë ndalur edhe proceset e njohjes për mbi 120 diploma nga Shkolla e Lartë Mjekësore “Millutin Milankoviq” në Serbi, si dhe për rreth 60 dokumente arsimore të lëshuara nga Shkolla e Mesme “Tutin” në Tutin.

Sipas Qeverisë, këto masa janë pjesë e përpjekjeve për të garantuar integritetin e sistemit të njohjes së diplomave dhe për të mbrojtur standardet e cilësisë në arsimin në Mal të Zi.

SHARE