MILLATOVIQ KËRKON MBLEDHJE TË JASHTËZAKONSHME TË KUVENDIT PËR ZGJEDHJEN E GJYQTARES NË GJYKATËN KUSHTETUESE

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit më 15 shtator 2025, në përputhje me nenin 90 të Kushtetutës së Malit të Zi dhe nenin 128 të Rregullores së Kuvendit.

Qëllimi i kësaj mbledhjeje është shqyrtimi i propozimit për emërimin e avokates Mirjana Vuçiniq si gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese.

Ky propozim u dorëzua në Kuvend në mesin e muajit maj, por gjatë seancës së rregullt pranverore nuk u mor asnjë vendim lidhur me të. Sipas njoftimit nga zyra e presidentit, Kuvendi ka treguar një qëndrim pasiv ndaj kësaj çështjeje.

“Qëndrimi i deritanishëm pasiv i Kuvendit të Malit të Zi, sa i përket nevojës për plotësimin e të gjitha vendeve të lira në Gjykatën Kushtetuese, po thellon krizën kushtetuese, cenon sundimin e ligjit dhe ngadalëson rrugën evropiane të Malit të Zi. Në këtë kontekst, presidenti Millatoviq përpiqet që, duke përdorur kompetencat e tij kushtetuese, të kontribuojë në plotësimin e Gjykatës Kushtetuese dhe arritjen e funksionalitetit të saj të plotë,” thuhet në deklaratë.

Gjithashtu, në përputhje me kompetencat kushtetuese, presidenti Millatoviq ka shpallur një thirrje publike për zgjedhjen e një gjyqtari tjetër në Gjykatën Kushtetuese dhe procesi është në zhvillim e sipër.

“Ftojmë deputetët të tregojnë përgjegjësi dhe të mundësojnë plotësimin e Gjykatës Kushtetuese, që është linja e parë e mbrojtjes së rendit ligjor dhe institucional në vend,” thuhet në njoftim.

SHARE