LVV-ja PRITET TA RIKONFIRMOJË TË DIELËN ALBIN KURTIN SI MANDATAR PËR KRYEMINISTËR

Fituesja e zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), pritet ta rikonfirmojë Albin Kurtin si mandatar për kryeministër të Kosovës në fundjavë, saktësisht një javë pasi kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e shpalli njëanshëm të përfunduar konstituimin e organit ligjvënës.

Partitë ish-opozitare nuk pajtohen se Kuvendi është konstituuar, pasi ende nuk është zgjedhur nënkryetari i pestë dhe i fundit i Kuvendit nga komuniteti joshumicë serb.

Por, LVV-ja ngul këmbë se duhet të ecet përpara me formimin e institucioneve prandaj edhe do ta mbajë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë për të zgjedhur mandatarin për kryeministër.

Këtë e konfirmoi për Radio Evropa e Lirë zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, i cili tha se mbledhja do të mbahet të dielën e 7 shtatorit.

Në këtë votim brenda partisë pritet që kreu i saj, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të rikonfirmohet si mandatar për kryeministër, emrin e të cilit LVV-ja do ta dërgojë më pas te presidentja e vendit, Vjosa Osmani, për të provuar formimin e Qeverisë së re.

Megjithatë, situata në Kuvendin e Kosovës mbetet ende e bllokuar dhe nuk është e qartë nëse presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do ta mandatojë kandidatin e LVV-së për kryeministër në këtë gjendje.

SHARE