KOSOVË, HIDHET SHORTI PËR RENDITJEN E SUBJEKTEVE POLITIKE PËR ZGJEDHJET LOKALE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë sot tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotime për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor në Kosovë, raporton Anadolu.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se procesi për zgjedhjet lokale ka hyrë pothuajse në fazën përfundimtare. Ai tha se zgjedhjet janë themeli i demokracisë.

“Zgjedhjet janë themeli i një demokracie pasi përmes tyre qytetarët shprehin vullnetin politik duke zgjedhur përfaqësuesit në nivel in qendror dhe lokal. Në këtë drejtim, KQZ ka detyrë të rëndësisë së veçantë, të sigurojë proceset zgjedhore në Kosovë të jenë të lira, të drejta, transparente, të mbështetura në Kushtetutë, Ligjin për Zgjedhjet dhe të mbështetura në standardet më të mira ndërkombëtare”, tha Radoniqi.

Për zgjedhjet lokale të 12 tetorit janë të certifikuara 93 subjekte politike, prej të cilave 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.

Kjo është renditja e subjekteve politike sipas numrit: Lëvizja Vetëvendosje: 105, Partia Demokratike e Kosovës: 191, Lidhja Demokratike e Kosovës: 113, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës: 174, Lista Serbe: 170, Partia Socialdemokrate: 149, Alternativa: 103, Nisma: 186, GUXO: 118, Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin: 101.

KQZ u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike e kandidatëve që të angazhohen për një proces zgjedhor duke respektuar ligjet e rregullat zgjedhore në fuqi.

SHARE