Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministrja e Punëve Evropiane të Malit të Zi, Maida Gorçeviq, ka deklaruar se vendi po ndjek një rrugë ambicioze për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian deri në vitin 2028, duke theksuar se nuk ekziston një plan alternativ (plan B).
Gorçeviq sot zhvilloi një takim me kryetarin e Komitetit për Çështje Evropiane në Parlamentin e Sllovakisë, Jan Ferençak.
“Mali i Zi po ndjek një rrugë ambicioze për t’u bërë anëtarja e 28-të e BE-së deri në vitin 2028. Ky është një qëllim sfidues, por plan B nuk ekziston – ne punojmë me përkushtim dhe në përputhje me rekomandimet e BE-së,” tha Gorçeviq.
Sipas saj, po punohet me intensitet për mbylljen e kapitujve të negociatave. “Presim që përgatitjet për Marrëveshjen e Anëtarësimit të fillojnë gjatë kryesimit të Danimarkës dhe të përfundojnë gjatë kryesimit të Qipros, në gjysmën e parë të vitit 2026,” vlerësoi ajo.
Gorçeviq gjithashtu theksoi se Sllovakia mbështet fuqishëm Malin e Zi në rrugën e integrimeve, duke ndarë përvojat e veta nga procesi i anëtarësimit, pasi edhe vetë ka kaluar nëpër këtë rrugë.
“Mesazhi i tyre është i qartë – Mali i Zi ka një partner dhe mik në Sllovaki”.