MINISTRI HASANI OPTIMIST PËR FILLIMIN E SHQYRTIMIT TË KAPITUJVE

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani shprehu besimin se reformat e Shqipërisë do të vlerësohen nga Brukseli.

“Është e rëndësishme të kuptohet se Shqipëria nuk ka bërë thjesht përparim; Shqipëria ka bërë një përparim të madh që është konkret, i matshëm dhe real, dhe pranohet si i tillë. Prandaj, ne do të vazhdojmë që të kryejmë reformat e nevojshme për ta bërë vendin tonë sa më shpejt pjesë të BE-së. Në Shqipëri nuk ka të zgjedhur në institucione apo politikanë që nuk besojnë në rrugën euroatlantike të vendit. Ne kemi një konsensus të gjerë për këtë, pavarësisht nga debatet e nxehta politike.”

Hasani u shpreh se Greqia është një partner strategjik që e ka ndihmuar gjithmonë Shqipërinë në rrugën e integrimit. Sipas tij, rasti i një individi nuk mund të bëhet pengesë për këtë marrëdhënie.

“Ka kaluar tashmë një vit që kur jemi bërë gati për të mbajtur konferencën e dytë ndërqeveritare me BE-në. Tani jemi afër mbajtjes së saj. Në rajonin tonë thuhet se në disa raste nuk ka rëndësi se sa gati je me përgatitjet e duhura por duhet edhe fat për të arritur diçka. Të dyja, Bashkimi Evropian edhe Ballkani Perëndimor duhet të angazhohen në kohë për reforma dhe strategjitë inovative të integrimit. Ne kemi metodat dhe mjetet. Tani kemi nevojë për vendime të shpejta politike.”

Në fund të fjalës së tij, kryediplomati Hasani tha se tashmë janë vendosur mekanizmat e bashkëpunimit mes partive politike për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ndaj ai beson se kjo do të kontribuojë në zhvillimin normal të zgjedhjeve parlamentare në pranverën e ardhshme.

SHARE