MAKOVEC: BASHKIMI EVROPIAN PO PËRGATITET TË PRANOJË MALIN E ZI DERI NË VITIN 2028

Bashkimi Evropian (BE) po përgatitet të pranojë anëtarë të rinj deri në vitin 2030, ndërsa në rastin e Malit të Zi deri në vitin 2028, tha zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Shërbimit Evropian për Çështjet e Jashtme, Marko Makovec.

Siç njoftojnë nga Qeveria e Malit të Zi, Makovec e tha këtë në një panel kushtuar zgjerimit të BE-së në kuadër të Forumit Strategjik të Bledit, në të cilin mori pjesë edhe zëvendëskryeministri Filip Ivanoviq.

“BE po përgatitet të pranojë anëtarë të rinj deri në vitin 2030, dhe në rastin e Malit të Zi, deri në vitin 2028,” tha Makovec.

Siç shtoi ai, ka një konsensus të përgjithshëm mes 27 anëtarëve të Unionit për fazën e re të zgjerimit, e cila ka munguar më parë.

I pyetur nëse do të kishte pasur një zgjerim tjetër nëse nuk do të kishte agresion rus ndaj Ukrainës, Makovec u përgjigj pozitivisht, duke shtuar se kjo do të kishte ndodhur në rastin e Malit të Zi.

Siç është njoftuar nga Qeveria, Ivanoviq ka thënë se është i kënaqur me rezultatet e arritura nga institucionet malazeze që nga tetori i vitit të kaluar në zhbllokimin e gjyqësorit dhe miratimin e legjislacionit evropian, që, siç kujton ai, ka rezultuar me pranimin e Raportit mbi përmbushjen e standardeve të përkohshme për kapitujt 23 dhe 24 (IBAR).

“Ajo ngjarje ka një rëndësi të madhe për Malin e Zi, por edhe për BE-në, vendet kandidate, si dhe për vetë procesin e zgjerimit,” tha Ivanoviq, duke shtuar se qëllimi është mbyllja e të gjithë kapitujve të negociatave në tre vitet e ardhshme.

Ai theksoi se dallimet e brendshme për disa çështje nuk kërcënojnë rrugën evropiane të Malit të Zi, duke përmendur si shembull se të gjitha ligjet evropiane janë miratuar unanimisht në Parlamentin e Malit të Zi.

Ivanoviq theksoi se Mali i Zi tani ka institucione të pavarura dhe transparente, veçanërisht në fushën e gjyqësorit, duke shtuar se beson se ato do ta kryejnë punën e tyre seriozisht dhe në mënyrë të paanshme.

Ai tha se Mali i Zi është i gatshëm të diskutojë dhe zgjidhë të gjitha çështjet e mundshme të hapura me fqinjët e tij, “në frymën e forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore”.  

SHARE