TAJVANI GODITET NGA NJË TAJFUN I FUQISHËM

Më shumë se 30.000 shtëpi në Tajvan kanë mbetur pa energji elektrike pasi tajfuni Haikui goditi pjesën jugore dhe lindore të ishullit.

Si pasojë e stuhisë u mbyllën shkollat dhe bizneset, ndërkaq u anuluan pothuajse të gjitha fluturimet. Ky ishte tajfuni i parë që goditi drejtpërdrejt Tajvanin në katër vjet.

Haiku goditi pjesën malore të ishullit në juglindje, para se të nisej të dielën drejt jugut. Stuhia la pa energji elektrike mbi 240.000 shtëpi, por autoritetet thanë të hënën se mbi 34.000 mijë prej tyre vazhdojnë të mos kenë energji, shumica e të cilave gjenden në qarkun lindor të Taitungut.

Shkollat u mbyllën në jug, lindje dhe në Tajvanin qendror, ndërsa kryeqyteti, Taipei, u godit nga reshje shiu dhe erëra.

Autoritetet raportuan se pesë persona janë lënduar nga tajfuni, ndërkaq ende nuk është konfirmuar nëse një person i vdekur, që u gjet buzë një rruge në Taitung, humbi jetën si pasojë e stuhisë.

Tajvani po ashtu anuloi 208 fluturime brenda vendit dhe autoritetet lejuan vetëm disa fluturime të zhvilloheshin.

Ndërkaq, 23 fluturime ndërkombëtare u anuluan, tha Administrata e Aeronautikës Civile. Haikui është më i dobët se tajfuni Saola, që goditi Hong Kongun dhe jugun e Kinës të shtunën.

Mëngjesin e të hënës Haikui u zhvendos në Ngushticën e Tajvanit dhe është nisur drejt Kinës, thanë autoritetet tajvaneze. Stuhia ende do të vazhdojë të sjellë të reshura të dendura shiu në ishull deri në mesin e javës.

Agjencia kombëtare e motit në Kinë ka paralajmëruar për erëra të fuqishme dhe valë të mëdha deti në provincat bregdetare të Fujianit dhe Guangdongut dhe u ka bërë thirrje anijeve që të marrin masa mbrojtëse.

SHARE