META TAKON DREJTUESIT E PARTIVE POLITIKE PËR DATËN E ZGJEDHJEVE PARLAMENTARE

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka zhvilluar takimet me drejtues dhe përfaqësues të partive politike parlamentare dhe jo parlamentare në kuadër të konsultimeve për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Meta është takuar gjatë ditës së sotme me kryeministrin dhe kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë (PS), Edi Rama dhe liderin e opozitës dhe kreun e Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, si dhe me përfaqësues të partive të tjera politike. Takimi me Ramën dhe Metën është publikuar në rrejtet sociale, ku Meta gjatë takimit me kryeministrin e Shqipërisë, theksoi se po i zhvillon konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve sipas tij me qëllim për të ndihmuar sa më shumë për në një proces sa më gjithëpërfshirës. Presidenti i Shqipërisë, gjithashtu është takuar edhe me kryetaren e Partisë Lëvizja Sociale për Integrim (LSI), Monika Kryemadhi, kryetarin e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi dhe përfaqësues të partive të tjera. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri pritet të mbahen në pranverën e vitit 2021 dhe sipas Kushtetutës së Shqipërisë data e tyre caktohet me dekret nga presidenti i vendit. Kushtetuta e Shqipërisë përcakton se Kuvendi zgjidhet çdo 4 vjet dhe përbëhet nga 140 deputetë. Zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri janë mbajtur në vitin 2017, që i fitoi e vetme Partia Socialiste e Shqipërisë, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, si mandatin e dytë qeverisës.

SHARE