REAGIMI I KRYETARIT TË KUVENDIT TË KOMUNËS SË TUZIT, FADIL KAJOSHAJ

Foto: CDM

Lidhur me vendimin e Presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, për të kthyer Ligjin për Tatimin mbi Patundshmëritë në Kuvend për rishqyrtim 

Vendimi i Presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, për ta kthyer në rishqyrtim në Kuvendin e Malit të Zi Ligjin për Tatimin mbi Patundshmëritë, ligj ky që ka për synim forcimin e pavarësisë fiskale të vetëqeverisjeve lokale, përbën një hap shqetësues prapa në procesin e decentralizimit dhe qeverisjes demokratike.

Ky veprim është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj të drejtave të Komunës së Tuzit, një komunitet me shumicë shqiptare, i cili prej dekadash përballet me margjinalizim institucional. Nëse shteti pretendon me të vërtetë të ndjekë rrugën drejt integrimit evropian, atëherë duhet të tregojë përkushtim të sinqertë ndaj zbatimit të standardeve evropiane, sidomos atyre që lidhen me vetëqeverisjen lokale, decentralizimin fiskal dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave.

Karta Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale përcakton qartë se pushtetet lokale duhet të kenë burime të mjaftueshme financiare, në përputhje me kompetencat që kanë, dhe të kenë të drejtën të disponojnë lirshëm me to. Heqja e kësaj të drejte, në një kohë kur po përpiqemi të forcojmë kapacitetet lokale, tregon qartë se Mali i Zi ende nuk është i gatshëm të përballet në mënyrë të ndershme me parimet të cilave zyrtarisht u referohet. 

Është e papranueshme që Komuna e Tuzit, në territorin e së cilës ndodhet mbi 70% e pasurisë së kompanisë “Plantacionet”, ende nuk përfiton të ardhura nga kjo pasuri. Në vend që përmes këtij ligji të korrigjohet një padrejtësi shumëvjeçare, po përballemi sërish me përpjekje për t’ia mohuar komunitetit lokal atë që i takon sipas Kushtetutës dhe standardeve ndërkombëtare. 

Kjo praktikë jo vetëm që diskriminon Komunën e Tuzit, por cenon rendin demokratik dhe rëndon besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore. Ne nuk do të heshtim teksa Komunës së Tuzit i mohohen të drejtat themelore, sidomos kur bëhet fjalë për komunitete që përbëhen kryesisht nga pakica.

Prandaj, bëj thirrje që Kuvendi i Malit të Zi të tregojë pjekuri politike dhe përgjegjësi, dhe që në votimin e përsëritur ta miratojë këtë ligj që fuqizon vetëqeverisjen lokale. Gjithashtu, i ftoj organizatat ndërkombëtare veçanërisht ato që ndjekin nga afër procesin e integrimit evropian dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave që t’i kushtojnë vëmendje këtij rasti.

Komuna e Tuzit do të vazhdojë të jetë zëri i të gjithë atyre që besojnë në drejtësi, barazi dhe decentralizim të mirëfilltë. Lufta për autonomi fiskale nuk është vetëm çështje financash është luftë për dinjitet dhe për trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët e Malit të Zi.

SHARE