Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka deklaruar se asnjë kërcënim nuk do ta ndalojë në mbrojtjen e Kushtetutës, barazisë së qytetarëve dhe të drejtës që Mali i Zi të jetë një shtet ligjor, jo një shtet privilegjesh.
“Në prill, pas bisedimeve me përfaqësuesit e të gjitha grupeve të këshilltarëve në Ulqin, kam theksuar se asnjë investim nuk mund të jetë më i rëndësishëm se Kushtetuta dhe ligjet e Malit të Zi. Sot e përsëris: asnjë ligj nuk duhet të miratohet për shkak të një politikani dhe në dëm të 22,000 bujqve në Mal të Zi, përfshirë edhe gati 1,000 në komunën e Tuzit,” tha Millatoviq.
Ai vlerëson se ligji që ai ktheu për rishqyrtim është i papajtueshëm me Kushtetutën dhe i paligjshëm.
“Ky ligj mohon të drejtat e barabarta, shkel Kushtetutën, vendos taksa për bujqit që janë dy deri në tri herë më të larta se më parë, dhe kjo edhe me efekt retroaktiv, në dëm të qytetarëve dhe interesave shtetërore. Nëse atëherë mbroja Ulqinin, sot po mbroj gjithë Malin e Zi,” theksoi presidenti në një postim në rrjetin social X.
Ai gjithashtu bëri me dije se Ministria e Financave ka dhënë një mendim negativ për ligjin e propozuar për taksën mbi pasuritë e paluajtshme dhe se deputetët ishin të vetëdijshëm që ligji do të dëmtonte bujqit, por megjithatë e miratuan atë.
Në mendimin e Ministrisë së Financave thuhet se “ligji në fjalë nuk duhet të pranohet”; “përfituesit e taksave do të vendosen në një pozitë të pafavorshme” dhe “ligji cenon prodhuesit bujqësorë.”
Millatoviq shtoi se kur ai ktheu ligjin në Kuvend për shkak të shkeljes së Kushtetutës, u përball me kërcënime.
“Ata e dinin që ligji ishte i paligjshëm, dinin që dëmtonte qytetarët, dinin që ishte në dëm të bujqve, dhe megjithatë e miratuan,” theksoi Millatoviq.