GJELAJ: VENDIMI I MILLATOVIQIT RREZIKON STABILITETIN FINANCIAR TË KOMUNËS SË TUZIT

Foto: Komuna e Tuzit / Opština Tuzi

Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, shprehu shqetësimin e tij të thellë pas vendimit të Presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, për të mos nënshkruar Ligjin për Tatimin mbi Patundshmëritë. 

Me vendimin për të mos nënshkruar Ligjin për Tatimin mbi Patundshmëritë, Presidenti i Malit të Zi, z. Jakov Milatoviq, edhe një herë tregoi mungesën e gatishmërisë për të vepruar në përputhje me interesat e të gjithë qytetarëve, i lirë nga ndikimet politike dhe personale. Veçanërisht shqetësues është fakti se një veprim i tillë ndodh në një kohë kur është e qartë se ndryshimet ligjore të vitit 2021 synojnë drejtpërdrejtë destabilizimin financiar të Komunës së Tuzit.

Vlerësoj se kemi të bëjmë me presion institucional që i tejkalon kufijtë e veprimit ligjor dhe kushtetues, dhe që, në vend që t’u shërbejë qytetarëve, potencialisht favorizon struktura të ngushta interesash. Në këtë kontekst, me të drejtë shtrohet pyetja: a vepron Presidenti i shtetit në interes të të gjithë qytetarëve të Malit të Zi ?

Veçanërisht absurde është që një qasje e tillë drejtohet ndaj një komune në territorin e së cilës ndodhen mbi 70% e tokës së një prej kompanive më të mëdha shtetërore “Plantaže”. Në vend që t’i mohohet Komunës së Tuzit një e drejtë legjitime për të ardhurat e veta, Presidenti duhet të shtrojë pyetje me rëndësi publike: si ka qenë e mundur që “Plantaže” të bëhen pronar i atyre tokave? Nëse kjo nuk e intereson, së paku duhet të pyesë se si është e mundur që një kompani me aq shumë burime të funksionojë prej vitesh me humbje milionëshe dhe askush të mos mbajë përgjegjësi.

Ndërkohë që institucionet shtetërore tolerojnë një mënyrë të tillë të menaxhimit dhe mungesën e transparencës, Komuna e Tuzit ndëshkohet përmes mohimit të së drejtës ligjore për të hyrat që i takojnë, duke e vështirësuar kështu zhvillimin e saj dhe pamundësuar realizimin e projekteve kyçe për të mirën e qytetarëve.

Komuna e Tuzit nuk do të tërhiqet nga lufta për trajtim të barabartë dhe mbrojtjen e të ardhurave të saj, sepse ato përbëjnë bazën e zhvillimit të komunitetit tonë. Presim që institucionet përkatëse, përfshirë edhe Prokurorinë Speciale të Shtetit, të merren me këtë çështje dhe të hetojnë të gjitha rrethanat që shoqërojnë marrjen dhe zbatimin e vendimeve të tilla.

Në fund, dërgoj një mesazh të qartë: do të vazhdojmë të këmbëngulim për miratimin e përsëritur të Ligjit, në përputhje me ligjin dhe vullnetin e Kuvendit. Lufta për autonominë institucionale dhe financiare të Komunës së Tuzit nuk është çështje politike por është çështje parimi, përgjegjësie dhe e ardhmes së gjithë qytetarëve.

Kryetari i Komunës së Tuzit

Lindon Gjelaj

SHARE