QEVERIA: ÇFARË PLANIFIKOHET NË KRIPORE DERI NË PRANVERË TË VITIT TË ARDHSHËM?

Mali i Zi u obligua të bëjë një sërë masash konkrete në Kripore deri në pranverën e vitit të ardhshëm.

“Bëhet fjalë për sigurimin e punës së papenguar dhe të kontrolluar të pompave, me qëllim që të mbushen sa më shumë basene me ujë, drejtimi i ujit në ato vende në Kripore ku infrastruktura e mundëson, mbajtja e nivelit të ujit sipas programit të dakorduar, i cili përgatitet për nevojat e shtegtimit dhe dimërimit të shpendëve. Prandaj nevojitet që çdo ditë (ose të paktën në mënyrë periodike) të ndiqet niveli i ujit në basene”, thuhet në Draftin e Planit të Veprimit për plotësimin e masave përfundimtare në Kapitullin 27 mjedisi jetësor dhe ndryshimet klimatike, i cili është në shqyrtim publik deri me 28 gusht të këtij viti.

Në prill nevojitet të definohet niveli i ujit, i cili mbahet gjatë tërë sezonit të folezimit të shpendëve në lartësi të njëjtë, me pompimin e ujit të detit brenda dhe nxjerrjen e ujit jashtë nga Kriporja (pas shirave të fuqishme) dhe të bëhet monitorimi i përditshëm i nivelit dhe përshtatja e regjimit të pompave.

Në dokument po ashtu përmendet nevoja e formimit të ishujve artificial për folezimin e shpendëve.

SHARE