Policia me pajisje për shpërndarjen e protestave po heq bllokadat e trafikut nëpër gjithë Serbinë, ndërsa gazetarët e Radios Evropa e Lirë kanë raportuar edhe për arrestimet e para.
Studentët dhe qytetarët nisën të mblidhen herët në mëngjes, më 4 korrik, në Beograd, Novi Sad, Nish dhe qytete të tjera, ku vendosën kontejnerë dhe pengesa të tjera në rrugë.
Forcat e forta të policisë ndërhynë për t’i larguar ata nga rruga. Nuk ka pasur incidente më të mëdha deri tani, pasi protestuesit po largohen vetë në trotuar sapo mbërrin policia.
Në qendër të Beogradit janë ndaluar disa pjesëmarrës të bllokadave, ndërsa arrestime janë shënuar edhe në Novi Beograd, afër Fakultetit të Arteve Dramatike.
Studentët në bllokadë kishin bërë thirrje një ditë më parë për një “bllokadë totale të Serbisë për shkak të brutalitetit policor”.
Thirrja erdhi pas aksioneve të policisë gjatë natës mes 2 dhe 3 korrikut, kur në disa qytete u arrestuan gati 80 studentë dhe protestues kundër qeverisë.
Qytetarët dhe studentët që nga ora shtatë e mëngjesit kishin bllokuar kryqëzimin pranë Fakultetit Juridik në qendër të Beogradit, u tërhoqën nga rruga kur mbërritën kordonët e policisë.
Pasi policia largoi pengesat metalike dhe kontejnerët nga rruga, protestuesit u zhvendosën në një tjetër vend dhe vazhduan bllokadën, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Edhe nga ajo pikë u tërhoqën kur mbërriti policia.
Situatë e ngjashme po ndodh edhe në pjesë të tjera të Beogradit, ku protestuesit po vendosin kontejnerë në rrugë dhe po përballen me forcat e shumta të policisë që i heqin bllokadat.
Studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike njoftuan në Instagram se një koleg i tyre është arrestuar përpara këtij fakulteti në Novi Beograd.
Në Zemun janë bllokuar disa kryqëzime.
Sipas gazetarëve në teren, ka pasur përplasje verbale të vogla mes protestuesve dhe qytetarëve që kundërshtojnë bllokadat, por incidente më të mëdha nuk janë raportuar.
Bllokadat protestuese kanë nisur që në mëngjes edhe në Novi Sad dhe Nish.
Edhe në këto qytete janë të pranishme forcat e forta të policisë që po ndjekin protestuesit dhe po i heqin bllokadat.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, deklaroi më 4 korrik se policia ka lejuar grumbullimet në disa lokacione në Beograd që nuk janë të një rëndësie jetike për funksionimin e trafikut, ndërsa atje ku ndërhynë, e bën “pa përdorimin e forcës së tepruar”.
“Që në mëngjes, policia është në gjendje gatishmërie, në kuptimin që kemi përcaktuar prioritetet, që të gjitha pikat jetike të qytetit të funksionojnë normalisht”, tha Daçiq për televizionin Pink.
Ai dënoi vazhdimin e bllokadave, duke thënë se “ato rrezikojnë jetën normale të qytetarëve dhe funksionimin e qytetit”.
Daçiq tha gjithashtu se gjatë bllokadave të djeshme, policia ka përdorur “shkopin” në disa lokacione, duke shtuar se çdo rast është dokumentuar.