OSMANI: NEVOJITET PAJTUESHMËRI NGA DEPUTETËT PËR VOTIM TË FSHEHTË PËR KRYEPARLAMENTAR

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ekipi i saj ligjor ka ardhur në përfundim se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e përjashton mundësinë e votimit të fshehtë për kryetar të Kuvendit të Kosovës, por për këtë nevojitet pajtueshmëri nga të gjithë deputetët paraprakisht.

“Kjo nënkupton se duhet të ketë votë, vendim të seancës, para se të shkohet te një mënyrë e tillë [e votimit të fshehtë]. Ky është interpretimi i ekipit tonë ligjor, por nuk do të thotë që të tjerët pajtohen me të”, tha Osmani të premten duke folur për gazetarë në një ngjarje në Prishtinë.

Osmani po i referohej aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga 26 qershor, i cili i detyron deputetët që brenda 30 ditëve ta konstituojnë Kuvendin – pra deri më 26 korrik.

Presidentja Osmani foli për aktgjykimin një ditë pasi i përfundoi takimet konsultative me të gjitha partitë parlamentare të mërkurën dhe enjten.

Ajo tha se partitë kryesore i kanë “qëndrimet, do të thosha, ende diametralisht të kundërta, por kjo nuk do të thotë që brenda këtij afati nuk do të ketë afrim”.

“Ka gjëra për të cilat mund të pajtohen. Unë shpresoj se do të ketë. Bllokada te lloji i votimit është shumë joracionale”, tha ajo.

Osmani theksoi se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetueses nëse nuk konstituohet Kuvendi së shpejti, duke thënë se moskryerja e këtij detyrimi “nuk mund të kalojë pa pasoja”.

“Pra, do të ketë pasoja juridike”, tha ajo.

Ajo tha se do të kërkojë sqarim nga gjykata lidhur me atë se çfarë ndodh pas 30 ditësh, “sepse duhet të sqarohet se cila është pasoja juridike e moskryerjes së detyrimit kushtetues për konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditëve, sepse duhet të ketë pasoja juridike”.

Pas takimit me Osmanin të mërkurën, kryeministri në detyrë i Kosovës dhe lideri i LVV-së, Albin Kurti, u zotua se të angazhohet për konstituimin e Kuvendit.

“Diskutuam gjerë e gjatë, i përmendëm të gjitha elementet përbërëse… zonja presidente do të ketë takime edhe me përfaqësues të tjerë politikë. Mbase në fund do të mund të shohim nëse kemi bërë përparim”, tha Kurti.

Ndërkohë, përfaqësuesit e partive të tjera të mëdha parlamentare, në takimet ndaras me presidenten Osmani të mërkurën, e përsëritën kërkesën për votim të hapur për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Përkundër plot 41 përpjekjeve, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur ende ta konstituojnë institucionin ligjvënës.

SHARE