Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, kritikoi Kuvendin për mospropozimin e kandidatëve për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, duke e quajtur këtë një vazhdimësi të krizës kushtetuese që ka nisur që nga dhjetori i vitit të kaluar.
Ai theksoi se vendimi për pensionimin e njërit prej gjyqtarëve u shpall i paligjshëm nga Komisioni i Venecias dhe Komisioni Evropian, por Kuvendi nuk po merr përgjegjësi për këtë.
Millatoviq bëri me dije se ka vepruar me përgjegjësi duke propozuar kandidatë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, duke organizuar edhe thirrje publike për vendet vakante.
Ai i bëri thirrje Kuvendit që të marrë përgjegjësinë e duhur dhe ta zgjidhë krizën kushtetuese.
Po ashtu, ai komentoi edhe iniciativat për decentralizim dhe menaxhimin e pasurive publike, duke thënë se nuk ka rëndësi nëse menaxhimi është nga niveli qendror apo lokal, por rëndësi ka që menaxhimi të jetë efikas dhe në dobi të qytetarëve, jo thjesht një ndërrim i vendimeve partiake nga niveli qendror në atë lokal.