Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Zëvendëspresidenti i Bankës Evropiane të Investimeve, Robert de Groot, dhe ministri i financave i Malit të Zi, Novica Vukoviq, nënshkruan në Luksemburg marrëveshjen për vendin pritës, që formalizon praninë e Bankës Evropiane të Investimeve në Mal të Zi.
Ky hap tregon angazhimin e Bankës Evropiane të Investimeve për të mbështetur Malin e Zi në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Banka Evropiane e Investimeve gjithashtu miratoi një hua prej 18 milionë euro për rinovimin dhe digjitalizimin e institucioneve parashkollore, shkollave fillore dhe të mesme, përmirësimin e efikasitetit energjetik dhe pajisjen e arsimit profesional.
Ndihma shtesë prej 2.3 milionë eurosh pa pagesë do të shkojë për UNOPS-in, për asistencë teknike ndaj Ministrisë së Arsimit në planifikimin dhe zbatimin e projekteve.
Ministrja e Arsimit, Angjella Jakshiq-Stojanoviq, tha se ky është investimi më i madh në infrastrukturën arsimore në historinë e Malit të Zi, ndërsa ambasadori i BE-së, Johan Sattler, theksoi rëndësinë e ambienteve të rinovuara dhe pajisjeve moderne për cilësinë e arsimit dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Që nga viti 2019, Banka Evropiane e Investimeve ka investuar gjithsej 55 milionë euro në sektorin arsimor të Malit të Zi, përfshirë edhe hapjen e shkollës “Vlladimir Nazor” në Podgoricë.