Foto: Komuna e Tuzit
Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, i ka bërë thirrje kryeministrit Millojko Spajiq që të deklarohet qartë nëse i përkrah apo jo, veprimet e njëanshme dhe politikën e ministres së Punëve Publike, Majda Axhoviq, e cila ka anuluar tenderin për ndërtimin e palestrës sportive në Tuz.
Ai vlerëson se ajo me këtë veprim synon të poshtërojë, shantazhojë dhe dobësojë Komunën e Tuzit.
Gjelaj, në një komunikatë dërguar mediave, e ka quajtur vendimin e ministres skandaloz dhe ministren në fjalë e ka cilësuar si të preferuarën e Partisë Demokratike të Socialistëve, parti opozitare.
“Gjatë viteve të kaluara, pikërisht autoritetet që sot janë në opozitë dhe që ministrja Axhoviq duket qartë se është pjesë e tyre, kanë premtuar këtë projekt por nuk kanë bërë asgjë. Palestra sportive për vite me radhë ka shërbyer si një premtim i zbrazët dhe si mjet për përfitime politike. Ndryshe nga ata, administrata jonë lokale ka përgatitur gjithçka, ka zbatuar të gjitha procedurat e nevojshme në përputhje me ligjin për këtë projekt me vlerë rreth 10 milionë euro. E vetmja gjë që kishte mbetur ishte të zgjidhej realizuesi i punimeve dhe të niste zbatimi, për kënaqësinë e sportistëve, të rinjve dhe të gjithë qytetarëve të Komunës së Tuzit. Në vend të kësaj, ministrja Majda Axhoviq, e udhëhequr qartazi nga interesat opozitare dhe me qëllimin për të bllokuar sërish zhvillimin e Komunës sonë, vendosi të anulojë tenderin. Ky akt nuk është vetëm një sulm ndaj një projekti infrastrukturor, por një sulm i hapur ndaj qytetarëve të komunës sonë, të cilët meritojnë kushte të barabarta për zhvillimin e sportit dhe jetës shoqërore si të gjithë të tjerët në Mal të Zi”, thuhet në deklaratën e kryetarit Gjelaj.
Kryetari i Komunës së Tuzit thotë se po bëhet një përpjekje për të ndaluar përparimin e një komuniteti lokal për shkak të fitimit të vogël politik.
“Kur bëhet fjalë për ministren Axhoviq, unë personalisht isha i bindur se prezenca e saj në protestën anti-shqiptare të organizuar nga PDS në Tuz, dhe kjo pak kohë pasi mori detyrën e ministres, ishte vetëm një rastësi e pastër. Majda Axhoviq po kryen një goditje të hapur politike ndaj Komunës së Tuzit, duke u përpjekur të shtypë të vetmin pushtet lokal autokton shqiptar në Mal të Zi dhe kjo në shërbim të interesave të regjimit të mëparshëm dhe qendrave të fuqisë që kurrë nuk e kanë pranuar emancipimin politik të shqiptarëve, madje kanë luftuar gjatë që ne të vazhdojmë të jetojmë në kushtet që ishin para se të merrte pushtetin në Tuz Forumi Shqiptar. Sot nuk bëhet fjalë më për mosmarrëveshje apo qëndrime të ndryshme por bëhet fjalë për një aksion të qartë dhe të organizuar kundër vullnetit politik të popullit shqiptar në Tuz. Sjellja e Majda Axhoviq tregon se qëllimi i saj është të poshtërojë, shantazhojë dhe dobësojë Komunën e Tuzit, duke paraqitur administratën tonë lokale si të pabindur dhe të papërshtatshme, vetëm sepse në të dominojnë shqiptarët që nuk janë lutur dhe nuk janë përkulur kurrë para regjimit të vjetër,” theksoi Gjelaj.
Ai i bën thirrje kryeministrit të marrë një qëndrim dhe pyet nëse qëllimi i Qeverisë është të shkatërrojë apo të ndihmojë realizimin e projekteve kapitale në Komunën e Tuzit.
“Populli shqiptar në Mal të Zi nuk do të heshtë ndërsa përfaqësuesit e tij legjitim politikë përpiqen të shtypën, poshtërohen dhe përjashtohen në margjina. Tuzi nuk është koloni dhe nuk do t’i japin llogari askujt tjetër përveç qytetareve dhe qytetarëve të vet! Nëse dikush mendon se do të na kthejë në kohën kur për ne vendosnin pa ne, gabon! Po ashtu, ata që sot zbatojnë një politikë të tillë, le të dinë se do të mbahen mend si bashkëpunëtorë në përpjekjen për të shuar subjektivitetin politik shqiptar në Mal të Zi. E dënoj fuqishëm këtë vendim turpërues! Dërgoj mesazh të qartë se Komuna e Tuzit nuk do të lejojë që lojërat politike, intrigat dhe veprimet keqdashëse të individëve të vihen përpara interesave të qytetareve dhe qytetarëve tanë,” shtoi më tej kryetari Gjelaj.
Kryetari i Komunës së Tuzit thotë se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur interesat e Komunës.
“Zhvillimin e Malësisë askush nuk mund dhe nuk do ta ndalojë. I bëj thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse, por edhe gjithë opinionit publik malazez, që ti kushtojnë vemendje dhe të shohin se çfarë po ndodh këtu: një përpjekje për të ndaluar përparimin e një komuniteti lokal për shkak të fitimeve të vogla politike. Në fund, dua t’u dërgoj mesazh qytetareve dhe qytetarëve të komunës sonë se administrata lokale do të vazhdojë të punojë me përgjegjësi dhe përkushtim, ashtu si deri më tani. Projektet tona nuk do të ndalen për shkak të politikës së PDS-së apo kujtdo që përpiqet të na kthejë pas. Tuzi po ecën përpara, me ose pa mbështetjen e atyre që kurrë nuk e kanë dëshiruar të mirën e këtij vendi,” tha Gjelaj.