Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Drejtësisë, Bojan Bozhoviq, ka mirëpritur ndryshimet e propozuara në Kodin Penal lidhur me shkeljen e të drejtave zgjedhore dhe ka theksuar se Grupi i Punës i ministrisë që ai udhëheq do të shqyrtojë këtë iniciativë të Komitetit për Reformën Zgjedhore sa më shpejt të jetë e mundur.
Me këtë propozim parashikohet ashpërsimi i dënimeve për mosrespektimin e procesit zgjedhor.
Ryshfeti ndaj anëtarëve të këshillave dhe deputetëve, falsifikimi i firmave të votuesve dhe financimi i paligjshëm mund të ndëshkohen më ashpër nëse miratohen ndryshimet në Kodin Penal të propozuara nga përfaqësuesit e sektorit civil.
Komiteti parlamentar për Reformën Zgjedhore do ta dërgojë këtë propozim te Ministria e Drejtësisë, dhe ministri Bozhoviq për RTMZ tha se kjo iniciativë do të jetë prioritet në punën e tyre.
“Kur të marrim kërkesën, pra këtë iniciativë, do ta dërgojmë tek grupi i punës që merret me ndryshimet dhe plotësimet e Kodit Penal. Këtë çështje padyshim do t’i japim rëndësi prioritare,” tha ai.
Bozhoviq e konsideron të arsyeshme dhe të dobishme iniciativën e Komitetit për Reformën Zgjedhore dhe do ta shqyrtojë sa më shpejt të jetë e mundur.
“Në mënyrë pozitive i shohim të gjitha këto iniciativa, i përgëzojmë përpjekjet si nga Parlamenti ashtu edhe nga kolegët nga sektori joqeveritar, dhe do të ofrojmë mendimin tonë për propozimet që janë të nevojshme,” shtoi ai.
Organizatat joqeveritare që marrin pjesë në punën e Komitetit për Reformën Zgjedhore nuk shohin asnjë arsye që dikush të jetë kundër luftimit të kriminalitetit zgjedhor.
Disa deputetë nga ky organ parlamentar kanë përshëndetur forcimin e kuadrit ligjor, por kanë theksuar rëndësinë e mbrojtjes së parimeve themelore demokratike, siç është liria e zgjedhjes politike pa frikë nga ndjekja penale.