Festa e 4 korrikut që kremton Ditën e Pavarësisë së SHBA-së, ka në bazë të saj ushqimet dhe kulturën amerikane: paradat, gatimet në ambjent të hapur shoqëruar me birrë të ftohtë, dhe fishekzjarret.
Në këtë datë të vitit 1776 Kongresi Kontinental miratoi bashkarisht Deklaratën e Pavarësisë, një dokument përmes së cilit kolonitë amerikane njoftuan shkëputjen nga Britania e Madhe.
Një vit më vonë, sipas Bibliotekës së Kongresit, në Filadelfia pati festime spontane për të shënuar përvjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Festimet megjithatë do të bëheshin pjesë e kulturës së përbashkët vetëm pas luftës së vitit 1812.
Sipas Bibliotekës së Kongresit, ceremonitë përuruese për veprat kryesore historike në shekullin e 19-të, si kanali Erie në Nju Jork dhe hekurudhat në Baltimore dhe Ohajo, ishin planifikuar të përkonin me veprimtaritë festive të 4 korrikut. John Adams, një prej etërve themelues të kombit amerikan, insistonte që përkujtimi i pavarësisë së Amerikës “ të kremtohet plot madhështi, me parada, shfaqje, lojëra, sporte, kambana, zjarre, dhe ndriçime nga njëri skaj i kontinentit tek tjetri, tani dhe përgjithmonë”.
Për shumë amerikanë, 4 korriku është gjithashtu një shans për të lënë mënjanë dallimet politike dhe për të festuar bashkimin, duke reflektuar mbi revolucionin që solli në jetë demokracinë më jetëgjatë në histori.