NESËR TAKIMI I PRESIDENTIT MILLATOVIQ ME LIDERËT E PARTIVE PARLAMENTARE

Nesër në Podgoricë do të mbahet takimi i liderëve të partive parlamentare dhe presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq.

Millatoviq ftoi liderët e subjekteve politike parlamentare në një takim për t’i informuar për përfundimet e bisedimeve që ai pati në Bruksel me partnerët nga Bashkimi Evropian (BE).

Ai falënderoi liderët e partive parlamentare për përpjekjet e deritanishme në mënyrë që Mali i Zi të marrë një raport pozitiv për vlerësimin e përmbushjes së standardeve të përkohshme (IBAR).

“Është veçanërisht i lumtur që ne ishim dëshmitarë të unitetit në Kuvend gjatë miratimit të ligjit IBAR dhe mbledhjes rreth qëllimit më të rëndësishëm strategjik për vendin tonë – anëtarësimit në BE”, tha Millatoviq në ftesën e tij drejtuar të gjithë liderëve të subjekteve politike parlamentare.

Millatoviq përkujtoi se të martën me ftesë të kryetarit të Këshillit Evropian, Charles Michel, ishte në Bruksel.

“Duke pasur parasysh se jemi në një fazë kyçe të rrugës evropiane të Malit të Zi, e konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishme që të jeni plotësisht të informuar për përfundimet e bisedimeve që kam pasur në Bruksel me partnerët tanë të BE-së”, tha presidenti.

Kjo, siç theksoi ai, është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e dinamikave komplekse socio-politike, të cilat në periudhën e ardhshme duhet të orientohen drejt arritjes sa më të shpejtë të vendit në BE.  

SHARE