MILLATOVIQ: MALI I ZI VAZHDON TË JETË NJË ANËTAR I BESUESHËM I ALEANCËS

Në emër të qytetarëve të Malit të Zi dhe në emër të tij, presidenti Jakov Millatoviq i ka dërguar urime Presidentit Joseph Biden për 4 korrikun – Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Një vit pas marrjes së detyrës së Presidentit të Malit të Zi, mund të konstatoj me kënaqësi se dialogu politik dhe marrëdhëniet dypalëshe mes Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë intensifikuar më tej. Jam veçanërisht i kënaqur që miqësia mes dy vendeve tona reflektohet në thellimin e bashkëpunimit përmes aktiviteteve aleate brenda NATO-s. Në rrethanat e sfidave gjithnjë e më të mëdha dhe më komplekse në skenën ndërkombëtare, një përkushtim i përbashkët për sigurinë është i një rëndësie vendimtare për të ardhmen e vendeve tona. Prandaj, shfrytëzoj rastin të përsëris se Mali i Zi vazhdon të jetë anëtar i përkushtuar dhe i besueshëm i Aleancës”, thuhet në urimin e Millatoviqit.

Në momentin kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë vlerat mbi të cilat mbështetet Deklarata e Pavarësisë, është e rëndësishme, thotë Millatoviq, të kujtojmë se ne ndajmë parime të përbashkëta.

Në këtë kontekst, ai deklaroi se Mali i Zi është në proces të reformave demokratike, një hap më afër Bashkimit Evropian dhe se “veçanërisht vlerësojmë mbështetjen e administratës amerikane në përmirësimin e kapaciteteve tona institucionale”.

“Gjithashtu, jam i bindur se në periudhën e ardhshme, me përpjekje të përbashkëta, do të mund të dinamizojmë bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit, ndërsa vazhdimi i dialogut të rregullt politik në nivelin më të lartë do t’i jepte një shtysë shtesë forcimit të lidhjeve ndërshtetërore. Në këtë drejtim, jam veçanërisht i kënaqur me rifillimin e dialogut ekonomik, i cili do të kontribuojë në lidhje edhe më të forta ekonomike mes dy vendeve tona mike”, tha ai.

Më tej, me qëllim të forcimit të marrëdhënieve të përgjithshme ndërmjet vendeve tona, presidenti tha se beson se ekziston edhe një interes i ndërsjellë për zyrtarizimin e Partneritetit Strategjik, veçanërisht duke pasur parasysh se Mali i Zi është i vetmi anëtar i NATO-s në Ballkanin Perëndimor që nuk ka një partneriteti strategjik me SHBA.

“Me shpresën se në periudhën në vijim do të kemi mundësi të shkëmbejmë mendime për të gjitha temat me rëndësi për marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pranoni shprehjet e vlerësimit tim më të lartë”, thuhet në urimin e presidentit Millatoviq.

SHARE