Ambasadorët e 31 shteteve anëtare të NATO-s kanë vendosur që t’ia vazhdojnë edhe për një vit mandatin sekretarit të përgjithshëm të aleancës, Jens Stoltenberg.
Sipas këtij vendimi, që u mor në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut të mbajtur në Bruksel më 4 korrik, Stoltenbergu do të mbetet në krye të aleancës deri më 1 tetor 2024.
Me këtë vendim iu dha fund spekulimeve lidhur me zgjedhjen e mundshme të pasardhësit të Stoltenbergut në krye të NATO-s.
Stoltenberg ka falënderuar shtetet anëtare për besimin e dhënë.
“Jam i nderuar nga vendimi i aleatëve në NATO për të vazhduar mandatin tim si sekretar i përgjithshëm. Lidhja transatlantike mes Evropës dhe Amerikës së Veriut e ka siguruar lirinë dhe sigurinë tonë për gati 75 vjet dhe në një botë shumë më të rrezikshme, kjo aleancë është më e rëndësishme se kurrë më parë”, tha ai.
Kjo është hera e katërt që i zgjatet mandati Stoltenbergut dhe më 2024 do të bëhen dhjetë vjet që ai do të jetë në krye të aleancës.