Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim përfaqësuesin posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Siç njofton Zyra e Presidentes, gjatë këtij takimi u diskutua mbi sfidat aktuale politike dhe të sigurisë me theks të veçantë në veriun e vendit, përpjekjet për de-eskalimin e situatës, sikurse edhe nevojën për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.
Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t’i tejkalojnë sfidat aktuale dhe se Kosova ka demonstruar vullnet për de-eskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.
Në kontekst të zhvillimeve të fundit në veriun e vendit, presidentja Osmani ka theksuar se grupet kriminale dhe individët, që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, duhet të përballen me drejtësinë.
Më tej, Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e palëkundur në synimin e saj për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon.
Vizita e Lajçak vjen pas tensioneve disa javore në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, si dhe pas masave ndëshkuese të BE-së për Kosovën për mosveprime për uljen e tensioneve.
Lajçak pas vizitës zyrtare në Kosovë do ta vizitojë edhe Beogradin, ku do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.