SHUMICA VOTUAN KUNDËR INICIATIVËS SË OPOZITËS, MANDIQI KRYETAR I KUVENDIT TË MALIT TË ZI

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Iniciativa e opozitës për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, u hodh poshtë me 41 vota. Për shkarkimin e tij votuan 20 deputetë. Sipas rezultateve të votimit, propozimi në fjalë nuk u miratua.

Kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, në fillim të seancës tha se nuk mund të kryesojë seancën, pasi shkarkimi i tij ishte në rendin e ditës, por se ishte i gatshëm të përgjigjej në pyetje.

Pas kësaj, kryesimin e seancës e mori nënkryetarja e Kuvendit të Malit të Zi, Zdenka Popoviq.

Debati u ndez nga akuza të ashpra për lidhje të Mandiqit dhe aleatëve të tij me shërbimet serbe, si dhe rreth kërcënimeve që u drejtuan ndaj deputetëve të opozitës.

Deputetët e PDS-së dhe të opozitës kritikuan ashpër shumicën dhe Mandiqin për mungesë përgjegjshmërie në rastin e tentativës së vrasjes së një anëtari të sigurimit të tij, duke vënë në pikëpyetje integritetin e institucioneve.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e shumicës mbrojtën pozicionin e tyre, duke theksuar progresin e Malit të Zi në procesin e integrimit evropian dhe stabilitetin që po ruhet në vend.

Ata hodhën poshtë akuza të ndryshme dhe e quajtën iniciativën për shkarkim si manovër politike të opozitës për të dobësuar koalicionin aktual.

SHARE