

Foto: AA
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi se çdo sulm rus që synon rajonin e Baltikut do të përballet me një përgjigje “shkatërruese”, duke riafirmuar angazhimin e aleancës mbrojtëse për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të saj, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për shtyp përpara takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s të enjten në Bruksel, Rutte theksoi urgjencën e përforcimit të aftësive parandaluese dhe mbrojtëse në përgjigje të kërcënimeve globale në rritje.
Lidhur me një sulm të mundshëm rus ndaj rajonit të Baltikut, Rutte tha: “Vladimir Putin duhet ta dijë se nëse do ta provojë këtë, reagimi ynë do të jetë shkatërrues. Dhe ai e di (këtë)”.
Ai hodhi poshtë spekulimet mbi tërheqjen e trupave amerikane nga Evropa dhe u bëri thirrje aleatëve të ndalojnë duke vënë në pikëpyetje qëndrimin e Washingtonit dhe në vend të kësaj të përmbushin përgjegjësitë e tyre.
“Për momentin nuk ka plane që SHBA-ja të tërheqin trupat. Ajo që dimë është se SHBA-ja është plotësisht e përkushtuar ndaj NATO-s. Ata presin që aleatët evropianë dhe kanadezë të shpenzojnë shumë më tepër”, tha ai.
Rutte konfirmoi gjithashtu se Ukraina është ftuar në Samitin e NATO-s në Hagë më 24-26 qershor.
Takimi i së enjtes synon të hedhë themelet për Samitin e NATO-s muajin e ardhshëm në Hagë, me vendime që priten mbi objektiva të reja ambicioze të kapaciteteve, duke përfshirë mbrojtjen ajrore dhe raketore, armët me rreze të gjatë veprimi dhe formacionet e mëdha të manovrave tokësore.