ROMËT DHE EGJIPTIANËT JANË ENDE GRUPI MË I MARGJINALIZUAR NË MAL TË ZI

Romët dhe egjiptianët janë ende grupi më i margjinalizuar në Mal të Zi, kur merren parasysh të gjithë treguesit e realizimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, tha Avokati i Popullit Sinisha Bjekoviq.

Në prezantimin e Raportit për gjendjen e romëve dhe egjiptianëve në Mal të Zi, ai tha se disa zgjidhje sistematike kanë filluar të zbatohen.

“Por nëse ai proces nuk përfundon, ne kemi frikë se nuk do të kontribuojë në qëllimin themelor, që është ndërtimi i personalitetit dhe përvetësimi i njohurive në masë të mjaftueshme në mënyrë që fëmijët nga ajo popullatë të jenë konkurrues në të gjitha fushat e jetës dhe punës në Mal të Zi”, tha Bjekoviq.

Ai tha se një numër i madh i familjeve rome dhe egjiptiane janë ende të margjinalizuara, të izoluara nga pjesa tjetër e popullsisë dhe të vendosura në vendbanime që janë të ndara nga ato me popullsi jo-rome. Bjekoviq tha se distanca fizike ndikon edhe në dimensionin social dhe ekskluzivitetin në shumë fusha.

Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka, tha se dikasteri njeh problemet me të cilat përballet komuniteti rom, veçanërisht në fushën e përjashtimit social dhe varfërisë.

“Prandaj, buxhetimi i përgjegjshëm është një qasje kyçe në zgjidhjen e këtij problemi”, tha Gjeka.

Ai shtoi se do të ndihmojë autoritetet vendore që të integrojnë masat për komunitetin rom në politikat dhe buxhetet e rregullta.

“Qëllimi përfundimtar është të sigurohet barazia duke reduktuar hendekun socio-ekonomik midis romëve dhe popullsisë shumicë,” tha ministri.

Ai deklaroi se Deklarata e Poznanit paraqet një hap të rëndësishëm në luftën për përmirësimin e statusit të romëve.

“Zbatimi i standardeve rajonale në buxhetimin publik, sigurimi i rritjes së buxheteve publike në nivel qendror dhe vendor, si dhe përmirësimi i politikave që do të ndikojnë në përmirësimin e statusit të romëve, janë hapa kyç në procesin e përfshirjes së atij komunitetit”, tha ministri Gjeka.

SHARE