Qeveria e Malit të Zi në seancën e 51-të ka marrë vendim për ndarjen e një milion euro për secilën komunë në veri.
“Lajm i mirë për veriun e Malit të Zi”, tha kryeministri Dritan Abazoviq.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Goran Gjuroviq, tha se mjetet e marra nga programi për qytetari ekonomike do të shkojnë në Kollashin, Mojkovc, Shavnik, Bijello Pole, Andrijevicë, Rozhajë, Berane, Guci, Plavë, Petnicë, Plluzhine, Zhablak dhe Plevle.
Ai ka shpjeguar se Drejtoria për projekte kapitale do të nënshkruajë kontrata të veçanta me këto komuna për shpenzimin e dedikuar të mjeteve të ndara për projekte që nuk mbulohen me para nga fondet e para-anëtarësimit të Bashkimit Evropian.
Kryeministri Dritan Abazoviq tha se projektet i referohen vetëm infrastrukturës dhe ftoi kryetarët e komunave të propozojnë projekte.
“Komuna e Mojkovcit tashmë ka dorëzuar idenë për një shesh të ri të qytetit, sikurse edhe komunat e Shavnikut dhe Petnicës”, tha Abazoviq.
Kryeministri Abazoviq theksoi se kompania ajrore kombëtare “To Montenegro” tani po shënon rezultate të mira.
“Falënderoj ish-drejtorin, tani kemi një njeri që nuk është nga Mali i Zi. Mendoj se është mirë të provojmë me të huajt”, tha ai.
Seanca e Qeverisë së Malit të Zi filloi me një minutë heshtje për shkak të tragjedisë që pësuan qytetarët e Beogradit dhe Serbisë.