CELIBASHI PËR VOTIMIN ELEKTRONIK: KA GARANCI TË PLOTË PËR FSHEHTËSINË E VOTËS

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ) ka organizuar testimin operacional për Sistemin e Votimit dhe Numërimit Elektronik, sistem që do të përdoret në disa bashki për zgjedhjet vendore të datës 14 maj.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve i Shqipërisë, Ilirjan Celibashi, në një deklaratë për mediat foli mbi aspektet teknike të votimit elektronik dhe rreth garancisë mbi fshehtësinë e votës me anë të këtij votimi.

Celibashi tha se me anë të testimit verifikohen aspektet e funksionalitetit të pajisjeve si për rastin e përdorimit të tyre nga votuesit, ashtu edhe për rastin e transmetimit të informacionit që këto pajisje do të kenë në ditën e votimit, informacion që do të transmetohet në qendrën e përpunimit të të dhënave në KQZ.

“Nga pikëpamja formale jemi duke përmbushur një detyrim të kodit zgjedhor për të bërë testimin e funksionalitetit, por edhe të aspekteve të tjera të pajisjeve të teknologjisë së informacionit. Sot kemi radhën e pajisjeve të votimit dhe numërimit elektronik”, theksoi Celibashi.

Ai tha se e shikon me rëndësi që të marrë jehonën e duhur, sipas tij garancia e plotë që ofrojnë këto pajisje në lidhje me fshehtësinë e votës.

“Nuk ka asnjë lloj mundësie, mënyre apo mekanizmi që dikush të verifikojë votën e dhënë nga një zgjedhës për subjekte të caktuara. Kjo është e sigurt 100 për qind”, u shpreh Celibashi.

Në zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023 në Shqipëri, zgjedhësit në bashkitë Elbasan, Kamëz dhe Vorë do të votojnë nëpërmjet Pajisjes Elektronike të Votimit dhe Numërimit (PEVN).

SHARE