LUFTA NË UKRAINË UL PARASHIKIMET PËR RRITJE EKONOMIKE NË BALLKAN

Parashikimet për rritjen e bruto prodhimit të brendshëm në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, gjatë vitit 2022, janë ulur nga 4.1 për qind në 3.1 për qind, thuhet në raportin e rregullt gjashtëmujor të Bankës Botërore për rajonin. Ekonomitë e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, pavarësisht rimëkëmbjes së konsiderueshme nga pandemia e koronavirusit, tani po përballen me një sfidë të re, për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, thuhet në raport. “Lufta në Ukrainë ka tronditur gjithë rajonin, veçanërisht përmes rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve. Ky konflikt ka ndërprerë flukset e investimeve dhe të tregtisë së jashtme, si dhe ka vënë në pikëpyetje rimëkëmbjen”, thekson raporti. Sipas tij, inflacioni do të vazhdojë të rritet, për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimit dhe të energjisë, ndërsa rënia e eksporteve, ndërprerjet në zinxhirët e furnizimeve dhe reduktimi i të ardhurave nga turizmi, pritet të ngadalësojnë rritjen ekonomike. “Prodhimi total i ka tejkaluar nivelet e para-pandemisë, por masat për luftimin e pandemisë kanë rezultuar me borxh më të lartë publik, duke lënë shenja të përhershme në të gjashtë ekonomitë”, thekson raporti.

SHARE