OPOZITA I DREJTOHET KE-së PËR LIGJET MBI PUNËT E BRENDSHME DHE ASK-së

Foto: Vijesti

Kryetarët e grupeve parlamentare të partive opozitare në Kuvendin e Malit të Zi i kanë dërguar një letër Komisionit Evropian dhe delegacionit të BE-së në Mal të Zi për të tërhequr vëmendjen mbi procedurën dhe përmbajtjen e ligjit dhe amendamenteve për punët e brendshme dhe Agjencinë për Siguri Kombëtare.

Sipas njoftimit të tyre, kryetarët e grupeve parlamentare opozitare kërkojnë një qëndrim zyrtar nga Komisioni Evropian nëse tekstet e përmendura të ligjit, në formën e ndryshuar, janë plotësisht në përputhje me trashëgiminë ligjore dhe standardet e BE-së.

Në letrën e nënshkruar nga Andrija Nikoliq (PDS), Millosh Konatar (LQ URA), Boris Mugosha (SD) dhe Adrijan Vuksanoviq (IQK/UDSH), theksohet se shqetësim kanë shprehur edhe organizata të shumta të shoqërisë civile dhe ekspertë, pasi ligjet për punët e brendshme dhe ASK-së, si dhe amendamentet e mëvonshme, ndryshojnë në masë të madhe kompetencat institucionale dhe mekanizmat e mbikëqyrjes, dhe po ashtu vënë në dyshim mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në përfundim, duke shprehur falënderim për kontributin në forcimin e sundimit të ligjit dhe qeverisjes demokratike në Mal të Zi, deputetët opozitarë shprehin pritshmërinë që Komisioni Evropian ose shefi i delegacionit të BE-së në Mal të Zi, Johan Sattler, të japë përgjigje të paktën deri në fillimin e seancës së caktuar për të premten, 6 mars 2026.

SHARE