MBAHET KONFERENCË EKONOMIKE KOSOVË-SHQIPËRI-MAQEDONI E VERIUT

Foto: Erkin Keçi

Është organizuar në Prishtinë konferencë ndërkombëtare me përfaqësues të bizneseve nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Qëllimi i konferencës ishte të krijohen kontaktet e para midis bizneseve shqiptare kudo që janë në rajon dhe më gjerë, për një fuqi ekonomike më të bashkuar.

Kryetari i Odës Ekonomike Shqiptare, Hyzer Gashi thotë se fuqizimi i bashkëpunimit ekonomik mes trevave shqiptare, dhe krijimi i një rrjeti më të fortë për shkëmbimin e përvojave dhe ideve ndërmjet bizneseve, mbetet synim i tyre në Kosovë, për krijimin e një ekonomie të qëndrueshme.

“Kjo platformë ju dëshiron të gjithëve, pasi që nuk ka asnjë barrierë tjetër përveç që të koncentrohemi në fuqinë tonë të dijes, kapitalit, në funksion të zhvillimit”, theksoi Gashi.

Përfaqësuesi për Ballkan i “Planet Technology”, Avni Nasufoski në bashkëpunim me të cilën u organizua konferenca, tha se “Planet Technology” është tërësia e teknologjive të fundit që ekzistojnë në botë, ku përfshihen teknologji për stabilizimin e rrugëve, teknologji energjetike dhe teknologji tjera që ndikojnë në jetën e qytetarëve.

Sipas Nasufoskit, tani aktualisht është koha e artë e Ballkanit për ndryshime politiko-ekonomike.

“Kemi një teknologji të re e cila do të jetë teknologji e rrymës, megatron-energji, e cila do të sillet në muajt e ardhshëm dhe është një teknologji inovuese e jashtëzakonshme”, njoftoi ai, duke bërë të ditur se ajo është energji e gjelbër e cila ndihmon në reduktimin edhe të shpenzimeve.

Në konferencë u tha se qeveritë përkatëse ku jetojnë shqiptarët, duhet të jenë të hapura për teknologjinë e avancuar në të gjitha industritë.

SHARE