MALI I ZI PËRPARON NË INDEKSIN E LIRIVE EKONOMIKE

Foto: WallpaperCat.com

Sipas Indeksit të Lirisë Ekonomike të këtij viti, të publikuar nga The Heritage Foundation, Mali i Zi renditet i 67-ti në botë.

Ministria e Financave bëri të ditur se Mali i Zi, duke zënë vendin e 67-të, ka arritur progres prej 16 vendesh në listë, krahasuar me vitin e kaluar. Indeksi i këtij viti përfshin të dhëna nga gjysma e dytë e 2023 deri në gjysmën e parë të vitit të kaluar.

“Liria ekonomike e Malit të Zi është 63.8, duke e bërë ekonominë e tij të 67-tën më të lirë në Indeksin e 2025. Rezultati i saj është 4.1 pikë më i lartë se vitin e kaluar. Mali i Zi renditet i 33-ti nga 44 vende në rajonin evropian dhe rezultati i tij i përgjithshëm është mbi mesataren botërore,” thuhet në deklaratë.

Indeksi i këtij viti vlerësoi progresin e Malit të Zi në tetë tregues, përkatësisht në fushat e: stabilitetit fiskal, shpenzimeve publike, efikasitetit gjyqësor, lirive të tregut të punës, lehtësisë së të bërit biznes, tregtisë së lirë, barrës tatimore dhe lirive monetare.

SHARE