Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministria e Administratës Publike ka vendosur prioritet të lartë për reformimin e sistemit të qeverisjes lokale, me theks të veçantë decentralizimin dhe digjitalizimin, tha ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj.
Këtë e tha Dukaj në panelin e diskutimit “Reforma zgjedhore: Zgjedhjet lokale në një ditë, zgjedhja e drejtpërdrejtë e kryetarëve të komunave si dhe listat e hapura – sfidat dhe avantazhet”.
“Në vitin 2024, Qeveria e Malit të Zi miratoi një analizë të funksionimit të sistemit të vetëqeverisjes lokale, e cila tregoi dobësi të shumta në sistemin ekzistues dhe vuri në dukje nevojën urgjente për ndryshim”, tha ministri Dukaj.
Dukaj bëri të ditur se nga analiza ka treguar se Mali i Zi është një nga vendet më të centralizuara në Evropë, modeli monotip i organizimit të vetëqeverisjes lokale nuk është i qëndrueshëm dhe ka sfida serioze sa i përket financave publike lokale dhe funksionimit të subjekteve afariste në nivel lokal.
Gjithashtu, siç tha ai, mënyra e zgjedhjes së kryetarit të komunës nuk është e përshtatshme, sepse nuk reflekton legjitimitet zgjedhor.
“Marrëdhënia midis autoriteteve qendrore dhe lokale duhet të përmirësohet. Të gjitha këto çështje i kemi adresuar përmes Ligjit të ri për Vetëqeverisje Lokale. Megjithatë, është e qartë se pa një reformë gjithëpërfshirëse të sistemit zgjedhor nuk mund të bëjmë ndryshime thelbësore. Prandaj, në maj të vitit të kaluar kemi dorëzuar dy iniciativa kyçe në Kuvendin e Malit të Zi: vendosjen e zgjedhjeve të drejtpërdrejta të kryetarëve të komunave dhe mbajtjen e të gjitha zgjedhjeve lokale në një ditë”, ka theksuar Dukaj.
Ai është i bindur se këto nisma forcojnë karakterin demokratik të procesit zgjedhor dhe ulin tensionet politike.
“Prandaj, ato ndikojnë drejtpërdrejt në suksesin e proceseve reformuese që ne i kemi nisur tërësisht dhe sistematikisht. Jam i bindur se vetëm nëpërmjet reformës sistematike, vendimeve të guximshme dhe dialogut të hapur mund të ndërtojmë një qeverisje vendore moderne, efikase dhe të përgjegjshme. Qëllimi ynë është i qartë – të forcojmë komunitetet lokale në të cilat qeveria do të jetë më afër qytetarëve dhe institucionet vendore do të punojnë në interes të tyre”, tha Dukaj.