KURTI: ANËTARËSIMI YNË NË STRUKTURAT EVROPIANE SI PËRGJIGJE NDAJ KËRCËNIMEVE NGA SERBIA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shtetit të tij duhet t’i jepet shtysë drejt integrimit evropian, si përgjigje ndaj “kërcënimeve të sigurisë”, që sipas tij, vijnë nga Serbia.

Gjatë konferencës “Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euroatlantik”, Kurti tha se sa i përket Serbisë, që e cilësoi si “regjim autokratik”, duhet të përdoret qasja e njëjtë që Bashkimi Evropian dhe NATO kanë përdorur ndaj Rusisë pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 2022.

Ai tha se BE-ja dhe NATO-ja iu përgjigjën drejtë ndaj pushtimit rus të Ukrainës duke pranuar në aleancë Finlandën dhe Suedinë dhe duke i dhënë statusin e vendit kandidat Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.

“Kërcënimet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor nga Serbia duhet të trajtohen duke përdorur të njëjtën qasje, pra duke i dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti tha se gjatë dy vjetëve të qeverisjes së tij, Serbia solli katër herë ushtrinë e saj në kufi me Kosovën, “sponsorizoi terroristë dhe vazhdimisht shpërndanë gënjeshtra dhe narrativë të rremë për të justifikuar aktet agresive ndaj Kosovës dhe rajonit”.

Gjatë konferencës, Kurti foli për integrimin evropian dhe atlantik të Kosovës dhe tha se ky rrugëtim nuk mund të bëhet pa mbështetjen e miqve të saj ndërkombëtarë, por as pa reforma të brendshme.

“Mungesa e përparimit në anëtarësimin e Kosovës në BE dhe Këshillin e Evropës nuk kanë të bëjnë me mungesën e demokracisë dhe mbrojtjes së fortë të të drejtave të minoriteteve dhe të drejtave të njeriut, por në sjelljen e një regjimi autoritar sepse Serbia nuk është e interesuar për anëtarësim në NATO apo BE. Ajo kërkon të bllokojë përparimin e gjithë rajonit, duke frenuar të gjithë rajonin”, tha Kurti.

Kurti këto deklarata i bëri pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, një ditë më herët akuzoi shtetet perëndimore se po intensifikojnë presionin ndaj Serbisë që të njohë de facto dhe de jure Kosovën, të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe të ndryshojë qëndrimin ndaj Kinës.

SHARE