BASHKIA E TIRANËS ÇEL ZYRTARISHT SIPARIN E AKTIVITETEVE TË KRYEQYTETIT EUROPIAN I RINISË

Bashkia e Tiranës çel zyrtarisht siparin e aktiviteteve të vitit 2022 ku Tirana është shpallur Kryeqyteti Europian i Rinisë. Në një ceremoni të posaçme me qindra të rinj që do jenë pjesë e eventeve të “Tirana European Youth Capital 2022” u shpalos programi dhe risitë që do të sjellë në Tiranë ky titull që jepet pikërisht në një vit të shpallur edhe nga KE si viti i Rinisë! Drejtoresha Ekzekutive e Kongresit Rinor Kombëtar, Dafina Peci, në çelje të këtij eventi theksoi se ka pasur një boom aplikimesh nga të rinjtë për aktivitete gjatë këtij viti. “Morëm 1100 aplikime nga të rinj nga i gjithë vendi. Të gjitha do kthehen në një kalendar shumëngjyrësh aktivitetesh dhe mundësish,” u shpreh Peci. Ndërsa Aspasjana Kongo, Koordinatore e Përgjithshme TEYC 2022, u shpreh se ky titull për Tiranën ka thyer 3 rekorde. “Tirana e ka marrë titullin si Kryeqyteti Europian i Rinisë që në aplikim. Rekordi i dytë është sepse për herë të parë këtë titull e merr një kryeqytet dhe së treti, ky program ka një shtrirje në të gjithë territorin e vendit,” bëri të ditur Kongo. “Secili prej jush ka mundësi ta ndryshojë botën”. Me këtë mesazh i është drejtuar kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj të rinjve të pranishëm në pallatin e Kongreseve në eventin e hapjes zyrtare të aktiviteteve të Tirana Europian Youth Capital. “A mund ta ndryshoni shkollën tuaj, a mund ta ndryshoni klasën tuaj, veten tuaj, sepse një njeri që ndryshon veten mund të ndryshojë një klasë e një njeri që ndryshon një klasë ndryshon një shkollë e një njeri që ndryshon një shkollë ndryshon një qytet, një njeri që ndryshon një qytet ndryshon një komb, një njeri që ndryshon një komb mund të ndryshojë një kontinent dhe një njeri që ndryshon një kontinent mund të ndryshojë botën. Ti mund të ndryshosh botën! Edhe ti mund ta ndryshosh botën. Secili prej jush ka fuqinë dhe energjinë ta ndryshojë botën,” tha ai.

SHARE