Tavë Kosi me Qofte – Receta e Veçantë e Traditës

Tradita në tryezë nuk dështon kurrë.

Të gjithë i preferojnë ushqimet tradicionale, madje duket sikur sa më shumë kalon koha aq më të shijshme bëhen.

Për këto dhe shumë arsye të tjera, amvisat zgjedhin t’i gatuajnë shpesh recetat tradicionale.

Nëse keni provuar një herë në jetë tavën e kosit, me siguri që ju kujtohet shija e mirë që mishi dhe kosi i pjekur kanë kur bëhen bashkë.

Akoma më e mirë kjo tavë bëhet nëse e përgatisni me qoftë shtëpie.

Në recetën e sotëme AgroWeb.org ju tregon  mënyrën më interesante të përgatitjes së kësaj tave.

Ndiqeni mëposhtë recetën e plotë sipas këshillave tona.

Përbërësit

  • 300-400 gr mish i grirë
  • 2 kokrra qepë
  • 75 gr bukë ose 2 feta
  • 2 kokrra vezë
  • 4-5 lugë gjelle miell
  • 4-5 lugë gjelle vaj
  • kripë
  • piper
  • majdanoz

Për kremin e kosit

  • 2 kokrra vezë
  • 150 ml lëng mishi
  • 2 gota kos
  • 1 gotë ujë
  • 1 lugë gjelle miell
  • 1 lugë gjelle gjalpë
  • kripë

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon që të nisni me përgatitjen e qofteve.

Në një enë të thellë hidhni mishin e grirë, qepën e grirë hollë në rende, vezët, kripën, hudhër e grirë sipas dëshirës.

Në fund shtoni piperin e zi, majdanozin e grirë dhe copa buke të zbutura në qumësht ose në ujë, por bëni kujdes që bukën të mos e lagni shumë.

Përzieni mirë të gjithë përbërësit me dorë ose me anë të një luge të madhe dhe më pas filloni të ndani qoftet në toptha të vegjël.

Për formën mund të zgjidhni atë që dëshironi, duke i bërë në formën e topave të vegjël.

Përafërsisht sa madhësia e një kokërr arre apo në formë vezake.

Hidhni miellin në një pjatë dhe aty kaloni me kujdes qoftet në mënyrë që t’i spërkasni mirë.

Më pas kalojini në një tigan të mbushur me vaj dhe filloni me skuqjen e tyre nga të gjitha anët.

Bëni kujdes të mos i skuqni shumë, por derisa të marrin ngjyrë kafe nga të gjitha anët.

Lërini të ftohen pak dhe shtrojini qoftet njëra pas tjetrës në një tave pjekje mesatare.

Për kremin e kosit

Në një tigan kaurdisni pak miell me lëng mishi për disa minuta e më pas hiqeni nga zjarri.

Kalojeni atë në një enë të thelle dhe po aty shtoni vezët me kosin dhe pak ujë.

Përzieni mirë me anë të një piruni dhe kremin e krijuar hidhjani të gjithin qofteve sipër.

Sipas dëshirës spërkateni me pak gjalpë dhe futeni tavën të piqet në temperaturën 200 gradë C për 40-45 minuta.

Kur të shihni që kremi i kosit është mpiksur dhe qoftet janë pjekur siç duhet, nxirreni tavën nga furra.

Lëreni të ftohet për disa minuta dhe më pas shërbejeni të ngrohtë./AgroWeb.org

SHARE